Mbrojtja e të akuzuarit për ushtrim ndikimi kërkon mbylljen e seancës për publikun

Rasti Dukagjin Emerllahu - 15 Qershor 2017
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Qershor 15, 2017

Prishtinë – Durim Osmoni, avokat mbrojtës i biznesmenit të akuzuar për ushtrim ndikimi dhe armëmbajtje pa leje, Dukagjin Emerllahu, kërkoi mbylljen e seancës për publikun.

Arsye për këtë avokati Osmoni, tha se është përmbajtja e provave, konkretisht CD-ja që është paraqitur si provë, që për shkak të komunikimeve që përmban e njëjta, mund të dëmtojë imazhin e klientit të tij.

Osmoni, gjithashtu kërkoi nga gjykata hedhjen e aktakuzës për të mbrojturin e tij.

Në anën tjetër, prokurorja e rastit, Dulina Hamiti, kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës, pasi siç theksoi prokurorja, një kërkesë e tillë është e pabazuar dhe mbrojtja nuk ka bashkëngjitur asnjë provë që mbështet hedhjen e aktakuzës.

Në lidhje me kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës dhe për mbylljen e seancës për publikun, gjyqtari Valon Kurtaj, tha se gjykata do merr një vendim dhe për këtë do njoftohen palët.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Emerllahu në janar të viti 2014, ishte takuar me dy zyrtarë policorë, Florim Krasniqi dhe Rrahim Muja, ku ishte prezantuar si biznesmen. Nga të njëjtit, kishte kërkuar që numrin telefonik të bashkëshortes së tij, ta vendosin nën masat e fshehta, si dhe kishte kërkuar që të gjitha hyrje-daljet e sms-ve t’ia dorëzojnë përmes një CD-je. E të gjitha këto favore i kishte kërkuar, duke u premtuar policëve, Krasniqi dhe Muja, punësim për familjarët e tyre.

Ndërkaq, plotë gjashtë muaj pas takimit dhe ushtrimit të ndikimit te zyrtarët policorë, pas një kontrolli të policisë në banesën e Emerllahut, ishte gjetur një revole e tipi “Beretta”, së bashku me një karikator dhe 14 fishekë, të cilat dhe ishin konfiskuar nga ana e policisë.