Mbrojta paraqet kundërshtimet për vrasjen e rendë në tentativë

20170615_104918
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Qershor 15, 2017

Prishtinë – Në seancën e së enjtes në të cilën u mbajt shqyrtimi i dytë ndaj të akuzuarve për vrasje në tentativë, konkretisht ndihmë në vrasje të rëndë në tentativë, mbrojtja e të akuzuarve ka paraqitur kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Gjyqtari Vehbi Kashtanjeva, kryetar i trupit gjykues, fillimisht kërkoi nga ana e mbrojtjes së të akuzuarve nëse kanë ndonjë provë të re, por secili nga avokatët deklaruan se nuk kanë prova të reja për këtë çështje.

Avokati Hasan Jashari, mbrojtës i të akuzuarit Shpend Osmani, para gjykate i elaboroj kërkesat e tij për hedhje të aktakuzës dhe atë të kundërshtimit të provave të cilat i kishte dorëzuar paraprakisht në formë të shkruar.

“Nga shkresat e lëndës nuk ka prova që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i mbrojturi im ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, është fakt se i mbrojturi im ka qenë vozitës në ditën kritike por nuk ka qenë në dijeni se kolegu i tij Erduan Hasani do të merr veprim për me shti me armë dhe konsideroj se nuk ka asnjë element të veprës penale”, tha Hasani

Veprimin e njëjtë si të avokatit Hasani, e bëri edhe mbrojtja e Zekrija  Brobaniqi, avokati Ndue Kurti dhe mbrojtësja e Ermal Rashicës, avokatia Drita Sopi-Gashi.

“Mbesim pranë kundërshtimeve të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës që i kemi dorëzo me shkrim, në aktakuzë nuk është dëshmuar me asnjë provë se i mbrojturi im ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, tha avokati Ndue Kurti, mbrojtës i të akuzuarit Zekrija  Brobaniqi,

Avokatia Drita Sopi-Gashi, mbrojtëse e të akuzuarit Ermal Maliqi pasi prezantoi kundërshtimet për prova dhe atë të aktakuzës, kërkoi nga gjyqtari Kashtanjeva që të vërtetohet identiteti i të akuzuarit Ermal Rashica, sepse siç theksoi ajo, në bazë të shkresave të lëndës bëhet fjalë për Ermal Maliqin e jo Ermal Rashicën.

“Fillimisht kisha bërë kërkesë që të identifikohet a është Ermal Maliqi apo Ermal Rashica, sepse është duke u mbajt personi në paraburgim që nuk ka qenë në vendin e ngjarjes dhe të pandehurit e tjerë mund ta vërtetojnë dhe i propozoj gjykatës që ta hedhë aktakuzën”, u shpreh avokatja Sopi-Gashi, duke ju referuar deklaratave të mëhershme që të akuzuarit kanë dhënë dhe kanë përmendur këta dy emra.

Këtë pretendim të avokates e kundërshtoi prokurorja Bukurije Gjonbalaj, duke theksuar se në bazë të shkresave të lëndës, gjatë identifikimit, gjatë të provuarit e hetimeve është vërtetuar se personi që ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale është Ermal Rashica. Gjonbalaj gjithashtu tha se nuk mund që një person të rri në një kohë kaq të gjatë në paraburgim e të mos e përmend këtë fakt e vetëm kur është takuar më mbrojtësen e tij ka ardhur në një konkluzion të tillë.

Të gjithë avokatët kërkuan nga gjykata që për të mbrojturit e tyre të ndryshohet masa e sigurisë duke e ndryshuar nga paraburgimi në atë të arrestit shtëpiak.

Gjyqtari Vehbi Kashtanjeva si kryetar i trupit gjykues, mori aktvendim me të cilin ia refuzoi këto kërkesa dhe deklaroi se për të njëjtit është në vazhdim vendimi i caktuar për masën e paraburgimit.

Sipas aktakuzës Shpend Osmani, është duke u akuzuar për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, sepse më 20 janar 2017, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur me punëtoret e klubit “Moron” në bashkëkryerje me të pandehurin Erduan Hasani, pasi kanë shkuar në Mitrovicë për të marrë një  armë, me veturën e vëllait të pandehuri Erdoan Hasani, të cilën e ka vozitur Shpend Osmani më qëllim që të privojnë nga jeta personin tjetër dhe duke rrezikuar persona të tjerë, ka shtënë me armë nga vetura, me ç’rast është goditur në këmbë i dëmtuari, Mehdi Shaljanin.

Gjithmonë sipas aktakuzës, pasi këtij momenti Osmani e Hasani, kishin ikur nga vendi i ngjarjes, por pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin arritur ta ndalnin veturën të cilën ishte duke e vozitur Zekrija Brobaniqi, në të cilën veturë ishin gjetur edhe disa gëzhoja që dyshohet se janë të armës AK-47.

Prokuroria është duke pretenduar se për këtë veprim të Erduan Hasanit e të Shpend Osmani kanë qenë në dijeni edhe të akuzuarit tjerë Zekrija Brobaniqi e Ermal Rashica, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë në tentativë.

Sipas aktakuzës, pasi të gjithë kanë ardhur nga Mitrovica në Prishtinë me dy vetura dhe pasi është kryer vepra, i akuzuari Zekirja Brobaniqi i ka ndihmuar Osmanin e Hasanin duke ia marrë veturën e tyre të cilën më pas e kishte ndaluar Polica, ndërsa i akuzuari tjetër Ermal Rashica,   i ka marrë me jë veturë tjetër Shpend Osmanin e Erduan Hasanin duke i larguar në një vend tjetër.