Lirohet nga akuza ish-drejtoresha e barnatores qendrore të QKUK-së

Enkelejda Gjonbalaj shpallja
Author

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Qershor 16, 2017

Prishtinë – Ish-drejtoresha e barnatores qendrore në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), Enkelejda Gjonbalaj është liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ishte provuar se Gjonbalaj ka kryer veprën penale, për të cilën akuzohej.

Gjonbalaj akuzohej qe si drejtoreshë e barnatores qendrore të QKUK-së dhe si kryesuese e grupit punues të listës esenciale të barnave gjatë periudhës kohore shkurt-maj 2012, kishte zëvendësuar produktet mjekësore “Ondansetron” dhe “Granisteron” me produktin “Palonosteron”, i cili kishte kushtuar më shumë se dy të parat.

Prokuroria pretendonte se Gjonbalaj këtë zëvendësim e kishte bërë pa i konsultuar fare onkologët, mendimi profesional i të cilëve kishte qenë i domosdoshëm.

Sipas aktakuzës, produkti “Palonostereon” kishte kushtuar 77. 99 euro, e cila kishte një vlerë shumë më e madhe krahasuar me dy produktet që janë zëvendësuar.

Për më tepër, pretendohej se “Palonosteroni” ishte futur në rangun e citostatikëve pa qenë fare citostatik, por antiemitik. Gjithë kjo, sipas Prokurorisë, ishte bërë për t’i sjellë përfitim vetes dhe operatorit ekonomik, “Global Pharm”.