Konfirmon KGJK, jep dorëheqje kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq

ggggg-e1509621050641-620x275-1
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Shkurt 14, 2018

Mitrovicë – Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, ka ofruar dorëheqje nga kjo pozitë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyrtarja për media në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Aishe Qorraj.

“Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paralajmëruar dorëheqjen, mirëpo ende nuk e kemi pranuar zyrtarisht”, ka thënë Qorraj në një përgjigje përmes SMS-it.

Fillimisht, për dorëheqjen e tij, kishte raportuar “Betimi për Drejtësi, nga burimet brenda Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktoi me Kabashiqin, për t’i mësuar arsyet e kësaj dorëheqje, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.

Ndryshe, burime të “Betimit për Drejtësi”, brenda KGJK-së, kanë bërë të ditur se gjatë së mërkurës ky këshill ka thirrur një takim urgjent ku është diskutuar dorëheqja e Nikolla Kabashiqi nga pozita e kryetarit të Themelores në Mitrovicë.

Më 24 tetor të vitit të kaluar, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi kishte dekretuar gjyqtarët dhe prokurorët serbë, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bisedimet e Brukselit.

Ndërsa, më 31 tetor të atij viti, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka zgjedhur Nikolla Kabashiqin, kryetar të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, pasi sipas kësaj marrëveshjeje, parashihej që kjo gjykatë të udhëhiqej nga komuniteti serb.

Kurse, nënkryetar i kësaj gjykate ishte zgjedhur Ali Kutllovci.