Kërkohet plotësimi i ekspertizës në rastin e dy ish-zyrtarëve të bankës “NLB” në Gjilan

Filloreta Jakupi
Author

Raporton: Skender GOVORI

Shkurt 12, 2018

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, ka obliguar ekspertin financiar Riza Blakaj, që të bëjë plotësimin e ekspertizës, në rastin ndaj dy ish-zyrtarëve të bankës “NLB”, në Gjilan, Filloreta Jakupi dhe Ramiz Selimi, të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Një aktvendimi tillë është marrë të hënën, pasi trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi, Naser Maliqi, ka aprovuar propozimin e prokurorit Shaban Spahiu, i cili ka kërkuar që të bëhet plotësimi i ekspertizës në bazë të dokumenteve që në seancën e kaluar i ka ofruar e dëmtuara, banka “NLB”.

Me këtë rast, gjykatësi Maliqi, ka obliguar ekspertin Riza Blakaj, që së bashku me dy ekspertët e tjerë të bëjë plotësimin e ekspertizës financiare, pasi që e dëmtuara ka dorëzuar edhe disa të dhëna të reja, të cilat nuk i kishin poseduar grupi i ekspertëve, gjatë përpilimit të ekspertizës financiare.

Për dorëzimin e këtyre dokumenteve të reja, ka njoftuar në fillim të seancës gjyqësore, përfaqësuesja e bankës “NLB”, Erina Gashi, e cila ka deklaruar se ajo në seancën e kaluar ka dorëzuar disa dokumente shtesë gjykatës, duke shtuar se ato janë të nevojshme për plotësimin e ekspertizës.

Gashi ka thënë se si prova gjykatës i ka dorëzuar të dhënat e pa përmbledhura në ekspertizën financiare të 28 marsit 2014, të cilat sipas saj, do t’i shërbenin eksperti gjatë përpilimit të plotësimit të ekspertizës.

Ndryshe, eksperti financiar Riza Blakaj, ka thënë se që nga ekspertiza e kaluar financiare të përpiluar nga grupi i ekspertëve, nuk ka pasur ndonjë dokumentacion shtesë, nga ato që i kishin poseduar herën e parë, për të cilat tani mund të pretendohet se ekzistojnë.

Seanca e radhës është caktuar më 23 mars 2018, nga ora 13:00.

Ish-këshilltarja e bankës “NLB”, në Gjilan, Filloreta Jakupi si dhe ish-koordinatori dhe mbikëqyrësi i kësaj banke, Ramiz Selimi, në seancën e kaluar ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale “shpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tani e pandehura Filloreta Jakupi, akuzohet se nga 26 marsi 2010 e deri më 31 mars 2011, me qëllim që vetës t’i sjell përfitime të kundërligjshme pasurore, i ka vënë në lajthim klientët e bankës “NLB” në Gjilan, tani të dëmtuarit Ramadan Maliqi, Avdi Avdija, Mexhid Zeqiri, Arif Sylejmani, Mirishahe Thaqi Shemsie Nuhiu dhe Taip Jakupi.

Sipas aktakuzës, Jakupi pa pëlqimin e të dëmtuarve, ka bërë transferim të shumave nga llogaria rrjedhëse në atë të kursimeve, si dhe ka bërë tërheqjen e tyre me nënshkrim të falsifikuar.

Kurse, Ramiz Selimi, në bazë të aktakuzës, ngarkohet për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit.

Ai akuzohet se duke qene në pozitën e koordinatorit dhe mbikëqyrësit në degën e “NLB” në Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm i ka shkaktuar dëm bankës “NLB” dhe të dëmtuarit Mexhid Zeqiri.