Inspektori në Prizren thotë se nuk ishte detyrë e tij inspektimi i ndërtimeve të përkohshme

89.17, Bujar Hasani, etj. - 12.02.2018 - 2
Author

Raporton: Lutfi MORINA

Shkurt 12, 2018

Prizren – Inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Enver Bytyqi, të hënën, gjatë mbrojtjes së tij, ka thënë se detyra e tij ka qenë inspektimi i objekteve të forta, në të cilat vendoset themel, por jo edhe të vendosjes së karrigeve nga lokalet apo konstruksioneve të ndryshme me karakter të përkohshëm.

Bytyqi, gjatë seancës gjyqësore, ku së bashku me ish-drejtorin e Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bujar Hasani, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka deklaruar se për çështje të përkohshme si vendosja e karrigeve apo rrethojave të ndryshme vendos Drejtoria Urbanizmit.

I akuzuari Bytyqi, ka shtuar se për çështje të vendosjes së objekteve me karakter të përkohshëm si vendosja e rrethojave metalike e këtij rasti, janë përgjegjës inspektorët komunalë për hapësira publike.

I akuzuari për fund ka thënë se është i pavarur në punën e tij dhe se në rast të paqartësive nga palët ndaj të cilave inicion procedura, konsultohet me juristin, e në rast nevoje edhe me drejtorin.

Kryetarja  e trupit gjykues, Ajser Skenderi, me kërkesë të prokurorit Mehdi Sefa, i cili ka kërkuar kohë për përgatiten e fjalës përfundimtare, ka ndërprerë shqyrtimin dhe seancën e radhës e ka caktuar për 23 shkurt 2018, në ora 14:00.

Ndryshe, më 9 shkurt, mbrojtjen e tij e kishte dhënë edhe ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bujar Hasani, i cili kishte thënë se ai ka pasur pozitë politike, sipas së cilës, nuk ka pasur të drejtë të merr vendime dhe të hap procedura inspektuese, por vetëm të bëjë menaxhimin e stafit.

Hasani kishte deklaruar se është pronar i objektit, ndërsa pronar i lokalit është djali i tij, Gurash Hasani dhe se prej kohës kur është emëruar drejtor, nuk ka pasur asnjë rast të iniciuar ndaj lokalit “Fellas” për heqje të konstruksionit metalik apo uzurpim të pronës publike.

I akuzuari kishte thënë se inspektorët janë caktuar nga kryetari i komunës dhe se kanë qenë të pavarur në punën e tyre, ku kanë marrë vendime duke u bazuar në ligj dhe se nuk kanë pasur bashkërendim të punëve rreth të objekteve pa leje në Qendrën Historike të Prizrenit.

Hasani disa herë ishte pyetur nga prokurori i rastit, Mehdi Sefa, nëse ka qenë detyrë e tij të mos lejojë ndërtime pa leje në Qendrën Historike të Prizrenit, e sidomos vazhdimet e lokaleve me konstruksione metalike, sikurse lokali “Fellas”, por ai i ishte shmangur vazhdimisht përgjigjeve.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 gusht 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Bujar Hasani, të cilin e akuzon se nuk ka vepruar brenda përgjegjësive që ia jep ligji, me qëllim të përfitimit material për vete.

Sipas aktakuzës, Hasani, si drejtor i Inspektoratit, nuk ka vepruar për të larguar konstruksionin metalik të lokalit “Fellas”, të ndërtuar kundërligjshëm në Zonën Historike të Prizrenit, e pronar i të cilit lokal është vet ai.

Po ashtu, Enver Bytyqi, akuzohet se duke qenë në cilësinë e inspektorit të ndërtimit, me qëllim nuk ka iniciuar procedurën për heqjen e konstruksionit metalik të lokalit në fjalë, me ç’rast i ka mundësuar përfitim material të akuzuarit Hasani, të cilin e ka pasur drejtor.