I padituri thotë se në rastin për rimbursim dëmi është arritur parashkrimi subjektiv i kërkesës së paditësit

Gjykata Themelore ne Gjakove
Author

Raporton: Arbër GUTA

Shkurt 13, 2018

Gjakovë – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të martën, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku paditësja Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), e ka paditur Genc Morinën, për rimbursim të dëmit material dhe jo-material.

Përfaqësuesi i paditëses, Rifat Kelmendi, në fjalën përfundimtare tha se kërkon nga gjykata që kërkesëpadinë ta aprovojë, pasi që e ka mbështetjen në prova, duke e detyruar të paditurin të bëjë kompensimin në shumën prej 1.641 euro.

I autorizuari i të paditurit Genc Morina, avokati Prenk Pepaj, deklaroi se nga provat e administruara nuk u vërtetua themelësia e kërkesëpadisë, meqenëse në këtë rast sipas tij, kanë kaluar më shumë se katër vite nga dita e ujdisë dhe sipas dispozitave ligjore, afati subjektiv i parashkrimit është tre vjet.

Ai i ka propozuar gjykatës që padinë ta refuzojë për shkak të parashkrimit.

Ndryshe, në këtë seancë u bë edhe leximi i provave të administruara, kurse lidhur me vendimin e gjykatës, palët do të njoftohen me shkrim në afatin e paraparë ligjor.

Ky rast zhvillohet në bazë të padisë së ngritur më 5 prill 2017, në të cilën paditësja “BKS”, kërkon nga Genc Morina, rimbrusimin e shumës prej 1.641 euro, me rastin e kompensimit që e kishte bërë “BKS”, me rastin e aksidentit në të cilin Genc Morina, ishte shkaktar i aksidentit.

Aksidenti kishte ndodhur më 3 janar 2013, në Gjakovë, ku i padituri Genc Morina, nga pakujdesia kishte shkaktuar aksident komunikacioni, në të cilin të dëmtuarit Ndrecë Gojani, i janë shkaktuar dëme materiale.

Pasi që i padituri, nuk kishte mbulesë siguruese, Byroja Kosovare e Sigurimit, e kishte bërë kompensimin prej 1.641 euro të dëmtuarit Ndrecë Gojani, duke u bazuar në dispozitat e ligjit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia.