I dëmtuari thotë se nga afërsia u qëllua me armë zjarri nga i akuzuari për tentim vrasje

28080593_10213324425603675_1199076506_o
Author

Raporton: Skender GOVORI

Shkurt 14, 2018

Prishtinë – I dëmtuari Gani Hashani, ka deklaruar se Enver Basholli, tani i akuzuar për tentim vrasje, kishte shtënë me armë zjarri ndaj tij, nga një afërsi prej rreth tre metrash.

Hashani, i cili ishte plagosur nga ky rast, që kishte ndodhur më 3 korrik 2017, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, teksa ka përshkruar ngjarjen se si kishte ndodhur, ka thënë se i akuzuari nga mbrapa e kishte thirrur dhe më pas kishte shtënë me revole në drejtim të tij.

“Derisa ishim duke u kthyer nga nëna e gruas sime për në banesë, Enveri më ka thirrur nga mbrapa ‘Gani’ dhe unë jam kthyer nga ai dhe e kam parë deri sa ka shkrepur plumbi, distanca ka qenë dy, tre metra dorën e ka pasur në drejtim timin, dhe kur e kam parë gjakun në dorë e kam kuptuar se jam qëlluar”, ka deklaruar Hashani.

Duke u përgjigjur në pyetjen e avokates Kada Përquku, e cila e mbron të akuzuarin Enver Basholli, nëse kishte dashur që, tash klienti i saj, ta vras atë, i dëmtuari Hashani, ka thënse se atëherë ka menduar se ka dashur ta  vras, por tani thotë se nuk e mendon një gjë të tillë.

Në seancën e së mërkurës, e ka dhënë dëshminë e saj edhe bashkëshortja e tij, e cila gjithashtu kishte qenë me të kur kishte ndodhur ngjarja, Teuta Hashani.

Dëshmitarja e cila është edhe e dëmtuar, ka kërkuar nga i akuzuari kërkim falje për rastin që kishte ndodhur, ndërsa lidhur me peshën e veprës, ajo ka thënë se ia lë gjykatës të vendosë.

“Nëse Enveri kërkon falje publike këtu ndoshta unë edhe Ganiu, do e pranonim, ndërsa gjykata le të vendosë për peshën e veprës penale”, ka thënë Teuta Hashani.

Dëshmitarja ka deklaruar se mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori, ndërsa më pas ka treguar për momentet kur i akuzuari kishte shtënën me revole në bashkëshortin e saj.

“Unë me Ganiun kemi qenë duke u kthyer nga banesa e nënës sime për në banesën tonë Enveri e kishte parkuar veturën në të djathë ku ka dal me shpejtësi të madhe në anën e majtë timen dhe e ka thirrur në emër Gani, Ganiu është kthyer, ndërsa Enveri ka gjuajtur dy herë”, ka shtuar ajo.

Në pyetjen e avokates Kada Përquku, e cila e mbron të akuzuarin Enver Basholli, se a ka mundur i akuzuari ta vras bashkëshortin e saj, dëshmitarja ka thënë se normal që qëllimi ka qenë vrasja e tij, mirëpo sipas saj, një gjë të tillë e ka shpëtuar pozita e dorës së tij.

Në fund, dëshmitarja ka deklaruar se ajo kishte ikur, mirëpo atë e kishte ndjekur i akuzuari, duke shtuar se më pas ishte fshehur pas një veture dhe më pas sipas saj, ka ardhur policia, ku edhe ishte arrestuar, tashmë i akuzuari Basholli.

Paraprakisht në këtë seancë është dhënë fjala hyrëse, ku prokurorja Besa Limani, ka deklaruar se me provat e propozuara në aktakuzë, do të vërtetohet se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ndërsa, në fjalën hyrëse, avokatja Kada Përquku, ka deklaruar se në këtë shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet se nuk ka ekzistuar dashja nga ana e të mbrojturit të saj për ta privuar nga jeta të dëmtuarin, pasi sic thotë ajo, vetëm një herë ka shtënë për ta evituar sulmin nga i dëmtuari.

Prokuroria e akuzon Enver Bashollin, se më 3 korrik 2017, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje në mes të pandehurit dhe të dëmtuarit-dëshmitarit Gani Hashani për shkak të rrjedhjes së gypave të ujit në banesat e tyre, i pandehuri me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë dy herë me revole në drejtim të të dëmtuarit, ndërsa ka vënë në rrezik edhe dëshmitaren Teuta Krasniqi–Hashani.

Sipas aktakuzës, Gani Hashani është qëlluar një herë dhe si pasojë ka pësuar plagë në regjionin e parakrahut të dorës së djathtë, të cilat lëndime bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore, me dëmtim të përkohshëm të shëndetit. Enver Basholli, gjithashtu akuzohen edhe për përdorim të armës.