Gjyqtarët në Mitrovicë paralajmërojnë bojkotim të punës

Nora Kelmendi- Rasti Pavlloviq- 12 Qershor 2017.
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Qershor 16, 2017

Vushtrri – Gjyqtarët e Departamentit të Krimeve të Rënda dhe Departamentit për të Mitur  në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, kanë paralajmëruar bojkotim të punës. Një lajmërim i tillë u bë një ditë pasi Qeveria e Kosovës, konkretisht më 15 qershor 2017, aprovoi kërkesën e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), përkatësisht atë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për kompensimin e shtesave dhe stimulim financiar për kryeprokurorë, prokurorë të Departamentit të Krimeve të Rënda dhe prokurorë të Departamentit për të Mitur.

Kërkesa e paraqitur nga PSRK arsyetohet me faktin se prokurorët e krimeve të rënda dhe ata për të mitur trajtojnë raste të krimeve specifike dhe të ndjeshme.

Këtë vendim, kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ali Kutllovci e konsideroi si diskriminues. “Ky është një diskriminim i madh. Edhe ne gjyqtarët jemi në Departamentin e Krimeve të  Rënda njëjtë sikur prokurorët“, deklaroi ai për “Betimi për Drejtësi”.

Kutllovci tha se nëse një gjë e tillë nuk rregullohet edhe për gjyqtarë të këtyre dy departamenteve, të njëjtit do ta bojkotojnë punën. “Nuk e dimë saktë për hapat të cilët do të merren, por nëse nuk rregullohet kjo, gjyqtarët e kësaj gjykate në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe Departamentin për të Mitur paralajmërojnë bojkotim të punës“, u shpreh Kutllovci.

Përveç, kryetarit të gjykatës në fjalë, pakënaqësi treguan edhe gjyqtarët e Departamentit të Krimeve të Rënda.

Gjykatësi Avni Mehmeti për “Betimi për Drejtësi”, deklaroi se rritja duhet të bëhet edhe për gjyqtarët, pasi të njëjtit trajtojnë dhe gjykojnë rastet me krime specifike dhe të ndjeshme.

I njëjti përmendi edhe vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, marrë më 15 janar 2016, me të cilin ishte aprovuar kërkesa e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për kompensimin e shtesave dhe stimulim financiar për 74 gjykatësit e Departamenteve të Krimeve të Rënda për vitin 2016, që kap shumën prej 279.720 euro. Përmes këtij vendimi, secili gjykatës i këtij departamenti është paguar si kompensim me 300 euro shtesë.

Megjithatë, sipas gjyqtarit Mehmeti, këtë kompensim nuk po e marrin më që nga viti 2017. “Në lidhje me këtë  ne gjyqtarët e kësaj gjykate vazhdimisht kemi bërë kërkesa në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe në Ministrinë e Drejtësisë (MD) duke kërkuar arsyetim se përse janë ndaluar ato shtesa dhe asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje. Këtë e konsiderojmë cenim të pavarësisë financiare si dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor”, deklaroi ai për “Betimi për Drejtësi”.

Mehmeti, së bashku me gjyqtarin tjetër të këtij departamenti, Beqir Halili, thonë se ky vendim është në kundërshtim me Ligjin për Gjykatat, nenin 29, paragrafin 2, i cili parasheh se  “Paga e një gjyqtari nuk do të zvogëlohet gjatë mandatit në të cilin gjyqtari është emëruar, përveç sanksionimit disiplinor të vendosur nën autoritetin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës”.

“Jemi mjaft të zhgënjyer, po presim që shumë shpejt të bëhet një zgjidhje edhe për gjyqtarët, ndryshe do bojkotojmë punën dhe nuk do i mbajmë gjykimet” tha gjyqtari Halili për “Betimi për Drejtësi”

E pakënaqur me vendimin e Qeverisë për prokurorë u shpreh edhe gjyqtarja në Departamentin për të Mitur, Pranvera Ademi, e cila paralajmëroi se edhe ajo do ta bojkotojë punën së bashku më gjyqtarët e Departamentit të Krimeve të Rënda. “Prokurorët barrën e hedhin mbi gjyqtarin. Ndjeshmëria e rasteve në Departamentin për të Mitur është mjaft e madhe duke marrë parasysh edhe specifikat që aplikohen gjatë punës së gjyqtarit, për dallim prej departamenteve të tjera“, tha Ademi për “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtarët Ademi, Mehmeti dhe Halili deklaruan se nuk është e logjikshme që prokurori, i cili është palë në procedurë gjyqësore, të paguhet më shumë se një gjyqtar, duke pasur parasysh se gjyqtarët e këtyre dy departamenteve të Gjykatës Themelore në Mitrovicë gjykojnë raste edhe të PSRK-së.