Gjykimi për vrasjen në Lipjan, dëshmitari tregon se si ishte plagosur shoku i tij

Besnik Bedrolli
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 14, 2018

Prishtinë – Dëshmitari Enver Kastrati, në gjykimin për vrasjen që kishte më 14 shkurt të vitit 2015, në lokalin “Agoni”, në fshatin Banullë të Lipjanit, tregoi se si ishte plagosur i dëmtuari Agim Selmani.

Këtë dëshmi, Kastrati e ka dhënë në seancën e së mërkurës, ku të akuzuar për vrasjen e Urim Dushullofcit, janë Besnik dhe Bajram Bedrolli.

Kastrati tregoi se me të dëmtuarin Agim Selmani, me 13 shkurt të vitit 2015, rreth orës 23:30, kishin shkuar në lokalin “Agoni” në Banullë të Lipjanit, për të pirë kafe, pasi atë natë në atë lokal kishte pasur edhe muzikë.

I njëjti tha se atë natë nuk kishin vërejtur ndonjë problem, vetëm se këngëtarët në atë lokal, sipas tij, këndonin vetëm për mysafirët e një tavoline.

“Atë mbrëmje ka pas myshteri mjaft shumë, muzika ka këndu vetëm për mysafirët e një tavoline. Ne kemi qenë të ulur në afërsi të shankit. Unë nuk kam vërejtje ndonjë problem aty, dhe as te ndonjë tavolinë e mysafirëve, por vetëm kemi vërejte se është ndalë muzika. Unë nuk e di pse është ndalë, por e di që këngëtarja ka qenë femër dhe së bashku me valltaret e tjera kanë ikë dhe kanë hyrë në një dhomë. Pastaj, ne kemi dalë nga lokali”, tha dëshmitari.

Në pyetjen e prokurorit Valdet Gashi nëse kishte vërejtur të akuzuarit Bajram Bedrolli që iu ishte afruar ndonjërës prej tavolinave të mysafirëve, por dëshmitari e mohoi një gjë të tillë.

“Bajrami atë natë ka ardh na ka përshëndet edhe neve, dhe nuk më kujtohet se a ka shkuar tek ndonjë tavolinë apo jo”, ka deklaruar dëshmitari.

I njëjti tha se arsyeja pse kishin vendosur të largoheshin nga lokali, ishte se kishin vërejtur se diçka nuk ishte në rregull, në momentin kur këngëtaret e kishin ndalur muzikën.

Dëshmitari ka deklaruar se pasi ai së bashku me të dëmtuarin Selmani, kishin dalë nga lokali “Agoni”, kishin dëgjuar të shtëna armësh, ku njëri plumb sipas tij, Selmanin kishte goditur në dorën e djathtë, me ç’rast ai ishte plagosur.

“Unë duke dalë nga lokali në shkallë, Agim Selmani ka qenë pas meje në pushimore,  janë dëgjuar 2-3 krisma. Kur jam kthyer e kam parë Agimin që më ka thënë ”mu kput krahu”. Ai ishte plagosur në krahun e djathtë dhe e ka humbë vetëdijen. Unë e kam kapë, e kam shti në kerr dhe e kam dërguar me shpejtësi në spital në Prishtinë”, tha dëshmitari.

I njëjti tha se nuk i kishte parë personin që e kishte plagosur të dëmtuarin Selmani.

Ndryshe, në këtë seancë gjyqësore kanë munguar dëshmitarët Ertan Shateri dhe Xhemile Veselaj.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vehbi Kashtanjeva tha se për dëshmitarin Shateri do të lëshohet urdhëresë për sjellje, pasi i njëjti e kishte pranuar ftesën e gjykatës, dhe se mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Ndërsa, dëshmitarja Veselaj do të ftohet përsëri, pasi e njëjta nuk e kishte marrë ftesën e gjykatës.

Prokurori Gashi i ka propozuar gjykatës që pos dëshmitarëve, të ftohet edhe eksperti mjekoligjor Arsim Gërxhaliu i cili ka përpiluar raportin e obduksionit për të ndjerin Urim Dushullofci.

Këtë propozim e ka aprovuar trupit gjykues, ndërsa seanca e radhës është caktuar me 12 prill 2018, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës, Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli, më 14 shkurt 2015, rreth orës 02:00, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Urim Dushullofci.

Sipas aktakuzës, të njëjtit fillimisht ishin fjalosur e pastaj e kishin sulmuar tashmë të ndjerin Dushullovci dhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla dhe Skënder Ademi me mjete të forta, i ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të Dushullvocit katër herë dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërkaq nga këto të shtëna, ishte plagosur edhe i dëmtuari Agim Selmani.

Ndryshe, Besnik dhe Bajram Bedrolli akuzohen nga prokuroria edhe për armëmbajtje pa leje.