Gjykimi i zyrtarëve të OSHP-së për tenderin milionësh, dëshmojnë pronarët e kompanive jofituese

Hysni Hoxha etj
Author

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Qershor 19, 2017

Prishtinë – Të hënën ka vazhduar gjykimi për tenderin milionësh “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, ku të akuzuar janë dy zyrtarë të prokurimit, përfshi këtu edhe ish-kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), Hysni Hoxha.

Në këtë seancë u morën në pyetje dy pronarët e kompanive jofituese, të cilat ishin ankuar pranë OShP-së për dhënien e tenderit kompanisë “Conex Group”, e që sipas tyre, e njëjta nuk i kishte plotësuar të gjitha kriteret.

Arben Shahini, pronari i kompanisë “Beni Construction”, i cili kishte qenë pjesë e konsorcioumit “NN Beni Construction & Jaha Company ShPK”, tha se në ankesën e parashtruar para OShP-së, kishin paraqitur pretendimet lidhur me kriterin për të pasur 30 punëtorë. Sipas tij, dyshimi kishte ardhur pas kërkesës për qasje në dosjen e tenderit të kompanisë fituese.

Ai, tha se në këtë dosje kishin vërejtur që raporti i auditimit nuk korrespondonte me prezantimin e numrit të saktë të punëtorëve.

Ndërkaq, i pyetur nga prokurori special, Sylë Hoxha se a ndihet i dëmtuar në këtë rast, i njëjti tha se nuk e din nëse ndihet i tillë.

“Nuk e di çka të them, më shumë jo, pasi ne qëndrojmë mirë si kompani”, tha ndër të tjera dëshmitari, Shahini.

Por, Shashini nuk u ankua se OShP-ja mund të ketë anuar për “Conex Group”, madje tha se në shumë raste kanë qenë shumë korrekt.

“Kam pasur edhe raste tjera kur të tjerët janë ankuar kundër kompanisë time, por OShP-ja ka qenë korrekte”, tha Shahini në pyetjen e të pandehurit, Hysni Hoxha.

Po ashtu, Shahini tha se kompania fituese ”Conex Group” ka qenë më e lirë se kompania e tij për afro 230.000 euro.

Të hënën, dëshmoi edhe pronari i kompanisë N.N.P ”Engineering”, Reshat Kamberi, i cili operator ekonomik ishte eliminuar që në fazat e hershme të procedurës së tenderimi.

Ai tha se ishin eliminuar nga gara për fitimin e këtij tenderi, pasi nuk kishin rigjeneruar certifikatën e TVSH-së, meqë e njëjta kishte mbet me vulë të UNMIK-ut.

Ndërkaq, i pyetur nga mbrojtësi i të pandehurit Hoxha, avokati Salih Bibaj lidhur me atë se a  ndihet i dëmtuar, Kamberi tha se nuk ndihet i tillë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon Hysni Hoxhën dhe Hysni Muhadrin për kryerje në bashkëpunim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, këtë vepër të pandehurit e lartcekur e kishin kryer në qershor të vitit 2013, Hoxha në cilësi të kryetarit të OShP-së dhe njëherësh kryetar i Panelit Shqyrtues të Prokurimit, ndërkaq Muhadri në cilësi të ekspertit shqyrtues të OShP-së. Sipas dispozitivit të parë, dy të pandehurit, me dashje direkte i tejkalojnë kompetencat e tyre, pasi kompanisë së ndërtimit “Conex Group” me pronar Veton Fetahun, i sjellin dobi materiale në shumë prej 1,799,759,54 euro. Në këtë rast, operatori ekonomik “NN Beni Construction & Jaha Company SHPK” në Viti, kishte parashtruar ankesë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”. Hoxha si kryetar i OSHP-së edhe pse i njoftuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) lidhur me disa të dhëna jo të favorshme për “Conex Group”, të njëjtët i kishte fshehur para dy panelistëve tjerë, të cilat kishin qenë të dhëna kruciale. Me këtë rast, paneli kishte refuzuar ankesën dhe kishte urdhëruar autoritetin kontraktues për të lidhur kontratë me “Conex Group”. Lidhur me këtë, Muhadri, si ekspert i çështjes, nuk ka verifikuar pretendimet e paraqitura në ankesë lidhur me numrin e punëtorëve të paraqitur në ATK nga “Conex Group” përgjatë viteve 2010, 2011 dhe 2012. Madje, sipas pretendimeve të Prokurorisë, ai ka përpiluar raportin në atë mënyrë që ankesa të refuzohet, duke fshehur disa informata para panelit.

Në anën tjetër, aktakuza e ngarkon edhe Veton Fetahun, pronarin e “Conex Group” dhe Arsim Robellin, kontabilistin e kësaj kompanie. Këta akuzohen se në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumente. Përkatësisht, të dy kanë përpiluar dhe përdorur dokumente të falsifikuara lidhur me kontributet e punëtorëve dhe numrin e tyre të paraqitur në ATK, gjë që ka rezultuar me shpalljen e “Conex Group” si fitues të tenderit në fjalë.

Po ashtu, Veton Fetahu ngarkohet me veprën penale “mashtrim”, e që sipas dispozitivit i njëjti ka fshehur të dhëna, duke mos i paraqitur ato para panelit në mënyrë që të fitoi tenderin.

Fetahu, ka bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë lidhur me veprat penale për të cilat akuzohet, marrëveshje e cila do të vlejë pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor.