Gjykata Themelore në Mitrovicë zyrtarisht pushon ndjekjen penale ndaj Oliver Ivanoviq

Nora-Kelmendi-Raporti-per-Web-Rasti-Zoran-Vukotic-13-shkurt-2018-620x275
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Shkurt 14, 2018

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, zyrtarisht e ka pushuar procedurën penale në rastin ku i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, ka qenë Oliver Ivanoviq.

Pas vrasjes së tij, kjo gjykatë me aktvendim e ka hudhur poshtë aktakuzën ndaj Ivanoviq.

Në këtë aktvendim që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se aktakuza e ngritur më 12 gusht 2014, si e ndryshuar më 7 dhjetor 2017, e ngritur kundër të pandehurit Oliver Ivanoviq, është hedhur poshtë, për shkak të vdekjes së të pandehurit.

Në këtë aktvendim, tregohet për historikun e këtij gjykimi, në të cilin ai më 21 janar të vitit 2016, ishte dënuar me nëntë vjet burgim, por që më pas rasti i tij ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

“Sipas nenit 358, paragrafi 1.3 të KPP-së, Gjykata do të nxjerr një aktgjykim me të cilin do ta hedh poshtë akuzën, nëse ka skaduar afati kohor, ndonjë amnisti apo fale e mbulon aktin, apo ekzistojnë rrethana tjera që e ndalojnë ndjekjen penale. Vdekja e të pandehurit, e dëshmuar me certifikatën e tij të vdekjes, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, më 26.01.2018, përbën një rrethanë të tillë, e cila e ndalon ndjekjen penale dhe e përfundon ndonjë përgjegjësi penale”, thuhet ndër të tjerash në këtë aktvendim.

Ivanoviq, i cili ka qenë kryetar i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, është vrarë më 16 janar të këtij viti, para selisë së partisë së tij, në Mitrovicën Veriore, e i cili më pas është varrosur në Beograd.