Gjykata nuk e aprovon pranimin e fajësisë nga zyrtari policor i akuzuar për keqpërdorim detyre

Ramiz Gara
Author

Raporton: Diana BERISHA

Shkurt 12, 2018

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, nuk e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga zyrtari policor, Ramiz Gara, i akuzuar veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në shqyrtimin fillestar të së hënës, i akuzuari Gara, ka deklaruar se e pranon fajësinë për akuzën që i vihet në barrë.

“Është e vërtetë që unë kam bërë një gabim teknik, si veprim e pranoj”, ka theksuar i akuzuari Gara.

Pas pranimit të fajësisë, gjykatësi i çështjes Hamdi Ibrahimi, i ka thënë të akuzuarit nëse e din se kjo vepër penale dënohet deri në 5 vjet burgim, por Gara ka deklaruar se nuk është i vetëdijshëm që ndaj tij mund të shqiptohet një dënim i tillë.

Pasi që Gara nuk kishte të angazhuar avokat, i cili do ta udhëzonte me të drejtat e tij, gjykatësi Ibrahimi, ka thënë se një deklarim i tillë nuk mund të pranohet.

Pas kësaj, gjykatësi Ibrahimi, e ka udhëzuar të akuzuarin Gara, që t’i drejtohet prokurorit për të diskutuar lidhur me çështjen e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë.

Ndryshe, në këtë seancë është konstatuar se prokurori i çështjes, Arian Gashi edhe përkundër obligimit për ta pajisur me të gjitha shkresat e lëndës të akuzuarin Gara, nuk e kishte bërë një gjë të tillë, për çka edhe i është tërhequr vërejtja nga gjykatësi Ibrahimi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 gusht 2017, Ramiz Gara si pjesë e stafit civil në Stacionin Policor në Drenas, më 10 mars 2015, ka lëshuar në mënyrë të paligjshme vërtetim për verifikim të kaluarës kriminale të Liridon Shalës, kinse ky i fundit nuk ka të kaluar kriminale, ndërsa nga të dhënat e sistemit informativ të Policisë së Kosovës, është kthyer përgjigja në kërkesën për Shalën se i njëjti ka të kaluar kriminale.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.