Gjykata e Apelit ia ashpërson dënimin të dënuarit për lëndim të rëndë dhe armëmbajtje pa leje

Gjykata e Apelit, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Shkurt 14, 2018

Prishtinë – Gjykata e Apelit ka vendosur që t’ia rrisë për katër muaj dënimin me burg, Patër Berishës, të dënuar nga gjykata e shkallës së parë për veprat penale “lëndim i rëndë trupor” dhe “mbajtja në pronësi, kontrolle, ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata Themelore në Prizren, më 28 korrik 2017, të akuzuarin Berisha e kishte shpallur fajtor për veprat penale të lartcekura dhe të njëjtit, për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej tetë muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre muajve.

Për këto dy vepra penale, gjykata e shkallës së parë, të akuzuarin Berisha, e kishte gjykuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 10 muaj.

Kundër këtij aktgjykimi, ankesë në shkallën e dytë kishte bërë Prokuroria Themelore në Prizren, e cila kishte kërkuar nga Apeli, që të akuzuarit Berisha t’i shqiptohet një dënim më i ashpër.

Ankesën e prokurorisë sa i përket vendimit mbi dënim, Gjykata e Apelit e ka pranuar si të bazuar duke vendosur kështu që të akuzuarit Berisha t’i shqipton dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej një vit e dy muaj, katër muaj më shumë se sa që e kishte dënuar shkalla e parë.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë, drejtë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, mirëpo, me rastin e zbatimit të dispozitave ligjore për zbutje të dënimit, sipas Apelit, shkalla e parë gabimisht ka zbatuar dispozitat në fjalë për zbutje të dënimit..

“Sipas nenit 76 par. 1 nën par. 3 të KPK-së, për veprat penale për të cilat parashihet minimumi ligjor në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh, sikur që është në rastin konkret me veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 189 par.5 e lidhur me par.1 të KPKsë, ku parashihet dënimi me burgim në minimum prej 3 (tre) vjetësh, atëherë, dënimi i shqiptuar mund të zbutet nën minimumin e paraparë ligjor deri në 1 (një) vjet, e jo sikur që ka vepruar gjykata e shkallës së parë, në kohëzgjatje prej 8 (tetë) muaj.”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në anën tjetër, pretendimet tjera ankimore të prokurorisë, se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal, Gjykata e Apelit i ka vlerësuara si të pabazuara dhe ti të tilla i ka hudh poshtë.

Patër Berisha akuzohej se më 29 prill 2014, pas mesnate, duke luajtur bixhoz në kazino me të dëmtuarin Hill Kaqinari, fillojnë të fjalosen rreth mosmarrëveshjeve për rregullat e lojës së pokerit, me ç’rast i akuzuari merr pistoletën dhe gjuan në drejtim të të dëmtuarit. Sipas aktakuzës i dëmtuari është goditur me armë zjarri në pjesën e abdomenit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, me rrezik për jetën.

I akuzuari Berisha, në janar të vitit të kaluar, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren dhe ishte dënuar me dënim unik prej 12 muajve burgim efektiv, 10 muaj për lëndim të rëndë trupor dhe 3 muaj për armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, sipas ankesës së prokurorit të çështjes, e kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë, me arsye se dispozitivi i aktgjykimit me arsyetimin e të njëjtit, janë në kundërthënie. Sipas aktvendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë e ka dënuar të akuzuarin për lëndim të rëndë trupor, ndërsa në dispozitiv të aktgjykimit qëndron konstatimi se i akuzuari ka pasur qëllim ta vrasë të dëmtuarin.