Gjashtë muaj burgim dhe 400 euro gjobë për të akuzuarit për narkotikë

19369465_823425714499308_1948904404_n
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Qershor 16, 2017

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve Berat Bulliqi dhe Bleron Galani, ka marrë aktgjykim me të cilin i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar më 6 muaj burgim dhe 400 euro gjobë, për secilin prej tyre.

Bulliqi e Galani janë akuzuar nga ana e prokurorisë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Koha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në dënimin e përgjithshëm.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor të dy të akuzuarit deklaruan se e ndiejnë vetën fajtorë për veprën penale për të cilën janë akuzuar.

“E ndjej vetën fajtor, kam gabu” u shpreh para gjykatës, i akuzuari Berat Bulliqi.

Në mënyrë të njëjtë veproi edhe i akuzuari tjetër, Bleron Galani.

“E pranoj fajësinë, pendohem dhe premtoj se kurrë më nuk do ta përsërisë”, tha i akuzuari Bleron Galani.

Me këtë pranim të fajësisë u pajtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatja Merita Bajraktari, mbrojtëse e Berat Bulliqit dhe avokati Naim Rudari, mbrojtës i Bleron Galani. Bajraktari e Rudari, kërkuan nga gjykata që të merret si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësisë dhe të merr një dënim sa më të butë.

Edhe prokurorja Ferdane Sylejmani u pajtua me pranimin e fajësisë nga të akuzuarit dhe i propozoi gjykatës që ta aprovoi pranimin e fajësisë.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Sylejmani theksoi se pranimi i fajësisë është në përputhje të plotë me aktakuzën dhe provat e propozuara dhe kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënoi sipas ligjit.

Pas propozimeve të avokatëve, që për të akuzuarit të hiqet masa e paraburgimit, trupi gjykues pasi shpalli aktgjykimin, vendosi që ndaj të akuzuarve të hiqet kjo masë.

Në bazë të aktakuzës së 26 janarit 2017, të akuzuarit Berat Bulliqi dhe Bleron Galani më 21 tetor 2016 në lagjen “Tophane”, pa autorizim kanë blerë ose poseduar për shtije ose shpërndarje substanca ose preparate që janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge.

Sipas prokurorisë, në bazë të urdhrit të gjykatës në banesën ku banonin me qira të pandehurit ishin gjetur substancë narkotike të tipit marihuanë në vlerë të përgjithshme 646.69 gramë.