QEVERIA VS ODA E AVOKATËVE

Author

“Betimi për Drejtësi”

Prill 26, 2017

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” për debatin e hapur rreth ndërhyrjeve të Qeverisë në Odën e Avokatëve të Kosovës. Kjo e fundit, në vitin e kaluar kishte nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë si dhe kishte nxjerrë një rregullore për të krijuar një mekanizëm përmes të cilit vendoset rend dhe rregull në angazhimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare me qëllim që ofrohet mbrojtje efektive për të pandehurit. “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar në të kaluarën dhe ka raportuar për keqpërdorimin e angazhimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare, ku kanë dalë në sipërfaqe një numër i avokatëve, të cilët janë privilegjuar, duke përfituar shuma të majme parash për shkak të angazhimit të shpeshtë. Por, rregullorja e Odës së Avokatëve ka krijuar kufizime për avokatët e rinj që të angazhohen sipas detyrës zyrtare me para të buxhetit publik në departamentet e krimeve të rënda. Një grup prej 45 avokatëve është ankuar për këtë, duke vlerësuar se ky kufizim është i kundërligjshëm dhe shkel të drejtat e avokatëve të rinj. Për këtë kanë paditur Odën e Avokatëve edhe në Gjykatë. Tashmë kemi një luftë në mes të Odës së Avokatëve dhe Qeverisë së Kosovës. Për të gjitha këto hallakama rreth kësaj rregullore ka vendime gjyqësore dhe vendime të Qeverisë. Vendimet e Qeverisë po konsiderohen nga Oda e Avokatëve si ndërhyrje në punët e saj dhe ndërhyrje në vendimet gjyqësore. Ndiqeni këtë temë të trajtuar me të gjithë akterët kryesor, por fillimisht ndiqeni rubrikën e monitorimit të rasteve të korrupsionit të përgatitur nga hulumtuesit e emisionit “Betimi për Drejtësi”.