Ndikimet dhe amnistitë e IPK-së

Author

“Betimi për Drejtësi”

Shkurt 7, 2018

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” për “Ndikimet dhe amnistitë e Inspektoratit Policor të Kosovës”. Paprekshmëria e drejtuesve që udhëheqin institucionet e pavarura ka ndryshuar javën e kaluar. Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, pas shumë skandaleve të shkeljeve ligjore të raportuara për IPK-në dhe pas hulumtimit të shfaqur në emisionin “Betimi për Drejtësi” sot një javë, ka vendosur ta suspendojë Kryeshefin e IPK-së, Hilmi Mehmeti. Sonte do të shfaqet vazhdimi i hulumtimit në IPK. Ministri Flamur Sefaj, ka suspenduar Kryeshefin Hilmi Mehmeti, ndërsa në vend të tij, ka caktuar si ushtruese të detyrës, Miradie Kelmendin, për të cilën poashtu janë ofruar dëshmi se si kishte tentuar të ushtronte ndikim në mënyrë të kundërligjshme që të kalonte një kandidate, e cila kishte dështuar. Por, Miradie Kelmendi nuk ka penguar punën e zyrtarëve të IPK-së vetëm në këtë rast. Gjatë emisionit, do të ndiqni se si Miradie Kelmendi kishte tentuar të pengonte hetimet dhe kishte amnistuar suspendimin e drejtorit të krimeve ekonomike, Nazim Sahiti edhepse inspektorët e IPK-së kishin nënshkruar rekomandim për suspendimin e tij për shkak të nevojës për të zhvilluar hetime të pavarura. Gjatë këtij emisioni, do të ndiqni edhe një intervistë me drejtorin e krimeve ekonomike, Nazim Sahiti në lidhje me rrahjen e Agron Mustafës dhe amnistitë për suspendimin ndaj tij. Do të ndiqni se pse dështoi mbledhja e Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, e cila ishte thirrur për shkak të skandaleve në IPK, ku ishte ftuar të raportonte Ministri i Brendshëm Flamur Sefaj.

Gjatë emisionit si zakonisht do të ndiqni rubrikën e monitorimit të rasteve të korrupsionit në të gjitha Gjykatat e Republikës së Kosovës.