Dosja e manipuluar e Kryeprokurorit të Shtetit 2

Author

“Betimi për Drejtësi”

Nëntor 1, 2017

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” për “Dosjen e manipuluar të Kryeprokurorit të Shtetit 2”. Zbardhja e dosjes së manipuluar të Kryeprokurorit të Shtetit mbi dhënien e provimit të jurisprudencës tashmë po shkon drejtë fundit. Çdo ditë ekipi i hulumtuesve të emisionit “Betimi për Drejtësi” në bashkëpunim me Kohavision kanë hulumtuar faktet dhe dëshmitë që dëshmojnë se përfundimisht dosja e jurisprudencës së Lumezit është në tërësi e manipuluar. Gjatë hulumtimit janë gjetur fakte dhe dëshmitarë, sipas të cilave, Kryeprokurori Lumezi, në vitin 2000, iu kishte nënshtruar një konkursi për tu bërë gjykatës, por të cilin nuk kishte arritur ta kalonte për shkak se, sipas dëshmitarëve, edhe vetë Lumezi kishte deklaruar se nuk e ka të përfunduar provimin e jurisprudencës. Faktet dhe dëshmitarët janë të gjallë dhe do t’i ndiqni në pjesën e parë të këtij hulumtimi. Në pjesën e dytë të hulumtimit, do të ndiqni faktet dhe dëshmitë mbi manipulimin e tërësishëm të dosjes së Kryeprokurorit Lumezi. Ekipi i hulumtuesve ka qenë në vendlindjen e Zymer Krasniqit, mbi të cilin është ndërtuar dosja e Aleksandër Lumezit. Gjithashtu është siguruar dosja personale e Zymer Krasniqit në Gjykatën Themelore të Pejës në Degën e Deçanit, përmes të cilës vërtetohen shumë elemente të manipulimit të dosjes së Kryeprokurorit Lumezi. Përveç argumentimit të çdo elementi, dëshmitarët dëshmojnë se si janë dhënë provimet e jurisprudencës dhe se si është vepruar në rastin e Kryeprokurorit Lumezi. Për të gjitha këto fakte dhe dëshmitarë, Kryeprokurori Lumezi nuk pranon të ballafaqohet.