Eksperti thotë se ish-zyrtarët e Bibliotekës Kombëtare të akuzuar për përvetësim në detyrë, nuk kanë vepruar sipas ligjit

ish zyrtaret e Bibliotekes Kombetare
Author

Raporton: Diana BERISHA

Shkurt 13, 2018

Prishtinë – Eksperti Riza Blakaj, në seancën e së martës, ka elaboruar ekspertizën financiare në rastin ndaj ish-zyrtarëve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Mehmet Gërguri dhe Sami Zeneli të cilët akuzohen se gjatë periudhës 1999-2003, kanë përvetësuar para në mënyrë të kundërligjshme duke mos i regjistruar ato në libra përkatës të këtij institucioni.

Për shkak të dallimeve të konsiderueshme mes ekspertizës financiare dhe ekspertizës grafologjike, gjykata kishte vendosur që të bëhej edhe një ekspertizë e re, për të konstatuar shumën e saktë të përvetësimit të parave nga ana e të akuzuarve.

Sipas ekspertizës së eksperti Blakaj, mos evidentimi i parave në librat përkatës të Bibliotekës, tregon sipas tij, se nuk është vepruar siç kërkohet me dispozitat pozitive ligjore.

Blakaj ka theksuar se në ekspertizë është bërë përshkrimi edhe për një pjesë të dispozitave, të cilat është dashur të zbatohen nga të akuzuarit Gërguri e Zeneli.

Në pyetjet e prokurorit të çështjes, Hivzi Bajraktari, eksperti Blakaj tha se vërtetimin e gjendjes me rastin e ekzaminimit të dokumentacionit financiar e ka përshkuar në ekspertizën, e cila iu është dorëzuar të gjitha palëve në procedurë.

Përshkrimi i gjendjes, sipas Blakajt, është bërë në detaje ku janë pasqyruar të gjitha të dhënat, të cilat janë konstatuar edhe nga raporti i Institutit të Forenzikës.

Blakajt sipas ekspertizës së elaboruar gjatë seancës, tha se është bërë edhe vlerësimi i dokumenteve për falsifikim të pjesshëm si dhe për dokumentet me përshkrim pa konkludim.

Mirëpo, sa i përket shumës për të cilën pretendohet se i akuzuari Zeneli, nuk e ka evidentuar në librat përkatës të Bibliotekës, eksperti Blakaj, theksoi se nuk mund të deklarohet, pasi që sipas tij, as Instituti i Forenzikës nuk është deklaruar saktësisht nëse bëhet fjalë për ndërhyrje apo jo.

Sipas ekspertit Blakaj, ky institut nuk ka treguar nëse ka ndërhyrje apo janë falsifikuar dokumentacionet, andaj sipas tij, pjesa e të akuzuarit Zeneli mbetet në vlerësim të gjykatës.

Në ekspertizën ku është bërë përshkrimi për të akuzuarin Gërguri, Blakaj tha se i akuzuari nuk ka vepruar konform dispozitave ligjore.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Gërguri, avokati Ramë Gashi shtoi se sa i përket ekspertizës së elaborouar gjatë kësaj seancës, e njëjta ka një përmbajtje mjaft profesionale krahasuar me ekspertizën e mëhershme, e cila sipas Gashit, nuk i ka përmbushur kriteret profesionale.

Mirëpo, prokurori Bajraktari, i propozoi gjykatës që të bëhet një super ekspertizë, pasi që sipas tij, ekspertizat e ekspertit Vehbi Imeri dhe Riza Blakaj, përmbajnë një diskrepancë në shumën për të cilën pretendohet se të akuzuarit e kanë përvetësuar.

Me vendim të gjykatës, seanca u shty në kohë të pacaktuar, ndërsa lidhur me propozimin e prokurorit Bajraktari, gjykata do të merr vendim të veçantë.

Sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë së Qarkut, të vitit 2008, Sami Zeneli dhe Mehmet Gërguri, si zyrtarë të Bibliotekës Kombëtare, nga shtatori i vitit 1999 e deri në shkurt 2003, kanë përvetësuar para në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria pretendon se gjatë kësaj periudhe kohore Zeneli ka përfituar shumën prej 51.664.3 DM (marka gjermane) dhe 12.162.90 euro, ndërsa Gërguri shumën prej 45.050.22 DM dhe 2.634.00 euro.

Mehmet Gërguri, akuzohet se si drejtor i Bibliotekës Kombëtare, gjatë periudhës 1999-2003 duke keqpërdorur pozitën e tij, ka tërhequr para nga “MEB-Banka”, duke mos i regjistruar në libra përkatës të Bibliotekës.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Sami Zeneli si person zyrtar, shef i kontabilitetit, arkëtar dhe furnizues në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare duke falsifikuar faturat dhe paragonët, me të cilët është bërë furnizimi i bibliotekës, duke vendosur numra shtesë e ka rritur çmimin dhe me këtë ka rritur vlerat totale në krahasim me çmimin real të mallit, sipas prokurorisë në këtë mënyrë Zeneli ka vepruar me të gjitha faturat.

Prokuroria i ngarkon Gërgurin e Zenelin, secilin veç e veç me veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”, ndërsa Zenelin edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”.