Eksperti mjekoligjor thotë se pas aksidentit, paditësi nuk ka zvogëlim të aktivitetit punues

Rasti BKS- Naser Gjoka- 12.02 (1)
Author

Raporton: Arbër GUTA

Shkurt 12, 2018

Gjakovë – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të hënën, është dëgjuar eksperti mjekoligjor, Burim Sahatçia, në çështjen civile, ku paditësi Naser Gjoka, kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), kompensimin e dëmit me rastin e aksidentit të komunikacionit.

Eksperti mjekoligjor, Burim Sahatçia, deklaroi se në bazë të dokumentacionit dhe vizitës së bërë, në këtë rast, sipas tij, kemi të bëjmë me lëndim të natyrës së rëndë pa pasoja dhe se sipas tij, nuk ka zvogëlim të aktivitetit punues, te paditësi Naser Gjoka, duke shtuar se në bazë të librit “Mjekësia Ligjore”, të autorëve Sokrat Meksi dhe Flamur Blakaj, paditësi ka zvogëlim të përhershëm jetësor 5%.

Në këtë seancë, është dëgjuar në cilësinë e palës edhe paditësi Naser Gjoka, i cili deklaroi se në momentin e aksidentit nuk kishte dijeni se makina, të cilën e ngiste, tani i ndjeri Flakrim Polatani, nuk kishte mbulesë siguruese.

Ndryshe, për këtë seancë ishte i ftuar edhe doktori Agron Zajmi, mirëpo i njëjti e ka njoftuar gjykatën se gjendet në udhëtim jashtë vendit, ashtu që ai pritet të dëshmoi në seancën e radhës, e cila u caktua më 12 mars 2018, në ora 13:30.

Ky rast zhvillohet në bazë të padisë së ngritur më 31 mars 2017, ku paditësi Naser Gjoka, kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimit, kompensim për dëmin material dhe jo-material lidhur me aksidentin në të cilin kishte pësuar lëndime trupore.

Më 26 dhjetor 2016, në rrugën Gjakovë- Ponoshec, është shkaktuar një aksident komunikacioni rrugor, ku pjesëmarrës ishte vetura “VW”, të cilën e drejtonte tanimë, i ndjeri Flakrim Polatani, kurse me të gjendej edhe paditësi Naser Gjoka, i cili me këtë rast, sipas padisë, ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Andaj, me anë të kërkesëpadisë, Naser Gjoka, kërkon nga gjykata që të nxjerrë aktgjykim me të cilin detyrohet e paditura, BKS-ja, të bëjë kompensimin e dëmit material dhe jo-material në vlerë prej 10.000 euro.