E akuzuara në burg për një proces tjetër gjyqësor, s’pranon të prezantoi në seancë

Zana Kotorri etj
Author

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Qershor 16, 2017

Prishtinë – Ardiana Gorani, e akuzuar për mashtrim me subvencione dhe dhënie të ryshfetit, e cila është duke e vuajtur dënimin në burgun e Lipjanit për një rast tjetër penal, nuk prezantoi as në seancën e së premtes.

Gjyqtari Valon Kurtaj, tha se Gorani nuk kishte pranuar të vijë në gjykatë, informatë të cilën e kishte marrë nga personat përgjegjës që bëjnë transportimin e të burgosurve.

Por, ky gjykatës tha se të njëjtën, në seancën e ardhshme që do të mbahet më 28 qershor, do ta sjellin me forcë.

“Ajo nuk mund të luaj me institucionet e drejtësisë”, tha nder të tjera gjykatësi, Kurtaj.

Më 24 dhjetor 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë ndaj Ardiana Goranit, Zana Kotorrit dhe Hana Berishës.

Kjo aktakuzë e ngarkon Zana Kotorrin, që në cilësinë e sekretares së përgjithshme në Ministrinë e Kthimit, në bashkëpunim me Hana Berishën, të kenë marrë pjesë në bashkim kriminal.

Sipas aktakuzës, Kotorri dhe Berisha ishin marrë vesh që të gjejnë persona të interesuar për subvencione nga Ministria e Kthimit dhe pastaj shumën e subvencioneve të ndajnë përgjysmë, ashtu që gjysmën e shumës ta marrë e pandehura Kotorri dhe gjysmën tjetër, e pandehura Berisha.

Sipas aktakuzës, përmes Berishës, e pandehura tjetër Ardiana Gorani kishte rënë në kontakt me Kotorrin, e ku kjo e fundit duke tejkaluar kompetencat e saj, ia kishte përgatitur dokumentet për aplikim për subvencione, të pandehurës, Gorani.

66.465.00 euro ishte shuma e subvencionit të projektit të shoqatës SHIPPL, me emër “Duam dhe mundemi së bashku”, e të cilat mjete pas ndarjes nga ana Ministrisë, të pandehurat i kishin ndarë mes tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, 33.232.00 euro i kishte marrë e pandehura Kotorri, 15.00.00 euro i kishte marrë Hana Berisha dhe pjesën tjetër e pandehura, Gorani.

Në aktakuzën që tashmë e përfaqëson, prokurori Haki Gecaj, theksohet gjithashtu se të pandehurat, për çdo përfitues të subvencioneve kërkonin përqindje që shkonte nga 30 deri në 50 %, nga shuma e subvencioneve.

Mbi këto fakte, kjo prokurori akuzon të pandehurat, Kotorri, Berisha dhe Gorani, se në bashkim kriminal, kanë kryer veprën penale të mashtrimit lidhur me subvencionet, ndërsa Zana Kotorri edhe për veprën, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Hana Berisha dhe Ardiana Gorani, ngarkohen gjithashtu edhe me veprën penale “dhënia e ryshfetit”.