Drejtoria e Arsimit në Prishtinë nuk sigurohet me aktvendimin e Apelit, shtyhet seanca për pagesën e pagave jubilare

padia
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 14, 2018

Prishtinë – Me kërkesë të përfaqësuesit të paditurës, Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Qazim Qunaku, është shtyrë seanca gjyqësore në të cilën paditësi Bashkim Bokshi, ka kërkuar nga kjo drejtori, pagesën përcjellëse për pension.

Qunaka ka kërkuar shtyrjen e kësaj seance, pasi i njëjti nuk ishte pajisur me vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila në tetor të vitit 2017, e kishte kthyer lëndën në rigjykim.

“Meqenëse në seancën e sotme pranova aktvendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka vendosur që çështja të kthehet në rigjykim, i propozoj gjykatës që kjo seancë të shtyhet me qëllim që të na jepet mundësia të deklarohemi lidhur me përmbajtjen e këtij aktvendimi”, ishte kërkesa e Qunakut.

Gjykatësja Saranda Bogaj-Sheremeti aprovoi kërkesën e Qunakut dhe e caktoi seancën e radhës më 12 mars 2018, nga ora 11:00.

Në qershor të vitit 2015, gjykata e shkallës së parë e kishte pushuar procedurën në këtë çështje, pasi sipas kësaj gjykate, të drejtat që i kërkon gruaja e të ndjerit Bashkim Bokshi, Nashide Bokshi, nuk mund të kalojnë në trashëgimtar.

Mirëpo, kundër këtij vendimi kishte paraqitur ankesë përfaqësuesi i paditëses, për shkak, sipas tij, të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale kontestimore.

Prandaj, Gjykata e Apelit, në tetor të vitit 2017, e kishte pranuar si të bazuar ankesën e përfaqësuesit të paditëses dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë, ka nxjerrë aktvendim të atakuar për pushimin e procedurës, nga shkaku se të drejtat e kërkuara nga paditësja, nuk janë të trashëgueshme, dhe se paditësja ka kërkuar kompensimin në emër të bashkëshortit të ndjerë.

Po ashtu, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë, ka vlerësuar se në rastin konkret objekt kontesti janë të drejtat që nuk mund të trashëgohen dhe ka vendosur ta pushojë procedurën.

Sipas Apelit, ky përfundim i gjykatës së shkallës së parë nuk ishte i drejtë dhe as i ligjshëm, pasi aktvendimi i atakuar ishte përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.

Paditësi Bashkim Bokshi, në qershor të vitit 2010, ka ushtruar padi kundër Drejtorisë së Arsimit, në Komunën e Prishtinës, për pagesën përcjellëse në pension.

Bokshi ka qenë në marrëdhënie pune në gjimnazin “Sami Frashëri”, në Prishtinë, ndërsa me vendim të Drejtorisë së Arsimit në mars të vitit 2010, i është ndërprerë marrëdhënia e punës, për shkak të mbushjes së moshës për pension.

Në këtë vendim, në pikën II, thuhet se i padituri Bokshi kishte shfrytëzuar pushimin vjetor, ndërsa në pikën III thuhet ka të drejtë të realizojë paushallin për përcjellje në pension, të cilin Drejtoria e Arsimit, sipas padisë, nuk ia ka paguar paditësit.

Prandaj, më anë të kësaj padie, Bokshi kërkon që Drejtoria e Arsimit t’ia paguajë në emër të regresit pushimin vjetor për 18 ditë pune, pagesën jubilare, dhe dy pagesa përcjellëse, gjithsej në shumën prej 1.103.87 euro, me kamatë prej 3.5 %, duke e llogaritur nga dita e paraqitjes së padisë.