Dëshmojnë dy të dëmtuarit kundër të akuzuarve për vrasje në tentativë

Almir Vilaku etj.
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Qershor 15, 2017

Prishtinë – Të dëmtuarit Kadri dhe Flamur Emini, dëshmuan kundër të akuzuarve për vrasje në tentativë, Almir, Leutrim dhe Ajet Villakut, në shqyrtimin gjyqësor, të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Dëshmitari Kadri Emini, para gjykatës tregoi në detaje rastin e 8 gushtit 2016, dhe mosmarrëveshjet e mëhershme në mes familjes Emini dhe familjes Villaku. Emini, tha se para vitit 2009, raportet mes dy familjeve ishin përkeqësuar dhe se edhe më herët kishin pasur mosmarrëveshje. Ai tregoi se nga momenti kur Izet Villaku e kishte goditur djalin e tij Flamurin, derisa ai kishte qenë duke shkuar në shkollë, ishin përkeqësuar marrëdhëniet midis dy familjeve. Kjo ngjarje ishte përsëritur edhe disa herë, arsyet e së cilës as ai nuk i dinte, dhe me qëllimin që të mos përkeqësoheshin edhe më shumë marrëdhëniet, ai thotë se personalisht familjes Villaku, i kishte dërguar njerëz dhe të dy familjet kishin arritur marrëveshje për pajtim.

“Në ditën kritike, unë kam qenë në oborrin tim, kam dëgjuar një farë zhurme, të shara, të bërtitura që vinin në drejtim të shtëpisë së vëllait tim Enverit, dhe kur jam dalë te dera e oborrit, vajza e vëllait më ka thënë hajde se kanë hyre “Islamavitët”(duke iu referuar familjes Villaku)… Kur kam shkuar atje i kam dëgjuar dy krisma të armës, kur e kam parë Ajet Villakun me revole në dorë, ai më ka parë më ka gjuajtur dhe është zhdukur menjëherë…Ajet Villaku, në besë ka pas me më vra, ai i ka rreziku edhe familjarët tjerë gra dhe fëmijë që gjendeshin në oborrin e shtëpisë”, tha dëshmitari.

Ndërkaq, dëshmitari Flamur Emini, tregoi ngjarjen se si sipas tij, Almir, Ajet, Leutrim, Lavdim dhe Besmir Villaku, kishin tentuar t’i shkelin me veturë  dhe si i kishin sulmuar.

“Unë dhe Muhameti kemi qenë duke shkuar te floktari, kur gjatë rrugës e kemi parë djalin e axhës tu u rrah me Islam Villakun, për mos me u bë puna e madhe, i kam bërtit djalit të axhës Ekremit “ec shko n’shpi”. Ne kemi shkuar te floktari, por për shkak se është dashur të presim në rend, kemi dalë jashtë, kur ka ardhur një xhip në drejtimin tonë dhe ka tentuar të na shkelë. Pastaj kanë dalë nga vetura 5 persona, me shifra të hekurit dhe thika me veti, mua më kanë goditë me shifër hekuri në kokë, dhe nga ai moment nuk më kujtohet asgjë sepse e kam humbur vetëdijen”, tha i dëmtuari Flamur Emini.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ajet Villaku, avokati Ramiz Krasniqi, i propozoi gjykatës që  të mbrojturit të tij, t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

Edhe avokati i të akuzuarit Leutrim Villaku, Aziz Rexha, dhe avokati i Armir Villakut, Ibrahim Maxhuni, kërkuan nga gjykata që të mbrojturve të tyre t’iu hiqen masat e arrestit shtëpiak, pasi të dy ishin studentë dhe ishte koha e provimeve.

Këto propozime u kundërshtuan nga prokurorja Besa Limani, me pretendimin se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për ndërprerjen e kësaj mase, ndërsa kryetari i trupit gjykues i refuzoi propozimet e mbrojtjes, që të akuzuarve t’iu hiqet masa e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak.

Për shkak se anëtarët e trupit gjykues kishin caktuar seanca tjera, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, e ndërpreu seancën, dhe e shtyu me 17 korrik 2017, në ora 9:00, në të cilën do të dëshmoi edhe i dëmtuari i tretë, Muhamet Emini.

Prokuroria tre të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “vrasje në tentativë”. Sipas prokurorisë, me 8 gusht 2016, në fshatin Komoran, Komuna e Drenasit, para floktarit “Bujupi”, pas një mosmarrëveshje paraprake,  Almir, Ajet, Leutrim, Besmir Villaku dhe i mituri Islami Villaku, kishin goditur me mjete të forta të dëmtuarit, Muhamet dhe Flamur Eminin. Këta të fundit, nga goditjet e marra kishin pësuar lëndime të rënda trupore, si gjakderdhje në tru, thyerje të kockave të kafkës, ndrydhje dhe gjakderdhje të indeve të buta në regjionin e mushkërive, si dhe lëndime të tjera të shkaktuara si rezultat i veprimit të mjetit të fortë.

Tutje, sipas aktakuzës, me po të njëjtën datë, Ajet Villaku, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Kadri Emini, me dashje që t’i privoj nga jeta, nga muri i shtëpisë, kishte shtënë dy herë me revole, në drejtim të dëmtuarit, Kadri Emini. Së bashku me Eminin ishte edhe dëshmitari Brahim Kllokoqi, mirëpo nuk kishte arritur ta qëlloi, ndërsa në vendin e ngjarjes ishin gjetur dy gëzhoja.