Dëshmitari thotë se njehsorët “Kohler” u aprovuan në mënyrë të kundërligjshme

Kohler
Author

Raporton: Gzim SHALA

Shkurt 12, 2018

Prishtinë – Dëshmitari Sefer Avdiaj, ka deklaruar se njehsorët elektrikë “Kohler”, ishin aprovuar në mënyrë të kundërligjshme, pasi sipas tij, një gjë e tillë kishte ndodhur me dokumente të një njehsori tjetër.

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Avdiaj ka dhënë dëshminë në rastin e njohur si “Kohler”, ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare, akuzohen Drita Hamiti, Vjollca Ajvazi dhe Avni Alidema.

Dëshmitari ka deklaruar se nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ishte emëruar në mesin e tre anëtarëve të komisionit, i cili kishte për detyrë të shqyrtonte ankesën e kompanisë “Federal”.

Sipas dëshmitarit, aprovimi i njehsorit “Kohler” ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe nuk kishte plotësuar variacionet e kërkuara, sipas tij, element ky i konstatuar nga komisioni për vlerësimin e ankesës.

“Njehsori elektrik është aprovuar me dokumentet e një njehsori tjetër. Kjo nuk është e lejueshme. Po ashtu ne kemi gjetur se ky njehsor nuk i ka plotësuar variacionet e kërkuara. Njehsori elektrik ka pasur probleme në temperaturë dhe përsëritshmëri. Kjo i bie qe matja e rrymës që ka bërë njehsori ka dalluar varësisht temperaturave dhe se njehsori nuk ka matur rrymën e shpenzuar çdoherë njëjtë”, deklaroi dëshmitari Avdiaj.

Ai ka shtuar se njehsori ka pasur probleme edhe sa i përket testimit të softwerit, i cili sipas tij, nuk ishte bërë.

Mbrojtësi i të pandehurit Avni Alidemaj, avokati Besnik Berisha, ka kërkuar që të di nga dëshmitari, nëse të gjithë vendimin e kishte bazuar në një raport të bërë në Holandë dhe se nëse është në dijeni se kompania prodhuese e njehsorit kishte bërë vetë testimin e softwerit.

“Ne kemi nxjerrë konkludime nga raporti i bërë në Holandë dhe nuk ja kemi bërë vetëm “copy-paste” këtij raporti. Sa i përket testimit të softwerit, unë nuk jam në dijeni për këtë fakt. Por, edhe sikur kjo të kishte qenë ashtu, ne nuk do ta kishim pranuar atë testim. Kjo për faktin se nuk mund të pranohet testimi i softwerit nga kompania e cila vetë e kishte prodhuar njehsorin, por testimin duhet ta bëjë një palë e tretë”, ishte përgjigja e dëshmitarit Avdiaj.

Avdiaj në fillim u prezantua nga gjykata në cilësi të ekspertit, pasi ashtu edhe ishte propozuar nga organi i akuzës. Por, pasi u bë e qartë pozita e tij, gjykata e cilësoi atë si dëshmitar në këtë procedurë.

Pas dëshmisë së Avdiajt, kjo seancë u ndërpre për faktin se në gjykatë nuk prezantuan dy dëshmitarë të tjerë, të cilët ishin paraparë të dëgjoheshin sot.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 23 mars 2018, me fillim nga ora 13:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 6 tetor 2015, ka ngritur aktakuzë kundër Vjollca Ajvazit dhe Drita Hamitit, në cilësinë e zyrtareve të Agjencisë së Metrologjisë dhe Avni Alidemajt, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të rrjetit të KEDS-it.

Prokuroria pretendon se gjatë intervalit kohor mars 2013 deri më 5 dhjetor 2014, të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke u mundësuar kompanive “Kohler” dhe “KEDS” të përfitojnë dobi pasurore dhe të njëjtën kohë t’iu shkaktojnë dëm material konsumatorëve kosovarë.

Sipas aktakuzës, dy zyrtaret Ajvazi dhe Hamiti, kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin dhe lejimit e tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, të tipit digjital “AEL. TF.04-1”.

Pjesë e akuzës kishte qenë edhe Blerim Sokoli, ndaj të cilit ka pushuar procedura penale, pas i njëjti nuk jeton më. Sokoli akuzohej se në cilësinë e drejtorit në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kishte pranuar ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik “Kohler”, të prodhuar në Turqi.