Dënohet me burgim i akuzuari për terrorizëm, por lirohet pasi dënimin e shqiptuar e kaloi në paraburgim

ardian gjuraj
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Shkurt 12, 2018

Prishtinë – I akuzuari për vepra penale të terrorizmit, Ardian Gjuraj, është dënuar me 1 vit e 5 muaj burgim, të hënën, nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në këtë aktgjykim, të shpallur nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, atij i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 5 shtatori 2016 deri më sot, 12 shkurt 2018.

Duke qenë se dënimi i shqiptuar me burgim, e kalon kohën sa ai ka qëndruar në paraburgim, kjo masë i është ndërprerë menjëherë atij dhe më pas ai është liruar.

Gjuraj është akuzuar për veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

Por, pas ricilësimit, sipas gjykatëses Hasaj-Hyseni, gjykata ka vendosur që këtë vepër ta konsiderojë të mbetur në tentativë.

Mbrojtësi i Gjurajt, avokati Ali Beka, pas shpalljes së aktgjykimit, ka deklaruar se do të shikojnë mundësinë e ankesës në shkallën e dytë, por për këtë ka thënë se ende nuk është vendosur.

Sipas aktakuzës, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015, duke jetuar në Gjermani ishte bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste-ekstremiste ISIS dhe babai i tij e kishte paraqitur në polici, ndërsa Policia e Gjermanisë më 18 prill 2015, e kishte deportuar atë në Kosovë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 11 dhjetor 2015, i akuzuari kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë.  Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.

Aardian Gjuraj, më 25 shkurt 2016 ishte arrestuar nga autoritete turke, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turke, prokuroria pretendon se në momentin kur e kishin arrestuar autoritetet turke, Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin “Ashab Arsayev”, ndërsa më 5 shtator 2016, ishte deportuar në Kosovë.

Gjuraj akuzohet për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.