Dënohet me burg dhe me gjobë i akuzuari për vjedhje të rëndë

Rasti Mehmet Idrizi- 13.02.2018
Author

Raporton: Arbër GUTA

Shkurt 13, 2018

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të martën, e ka dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim, si dhe 300 euro gjobë, të akuzuarin për vjedhje të rëndë, Mehmet Idrizi.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur, në shqyrtimin fillestar të së martës, pasi që i akuzuari Idrizi, ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej, duke shtuar se është penduar për veprimin e tij.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari, nuk e ka kundërshtuar prokurori Armend Zenelaj, i cili ka deklaruar se ky pranim është bërë në përputhje me dispozitat ligjore dhe pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësin e tij, i cili i është caktuar sipas detyrës zyrtare.

Ndryshe, i akuzuari Mehmet Idrizi, është i dënuar edhe më parë për vepra të njëjta dhe tani gjendet në vuajtje të dënimit.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 21 mars 2017, me të cilën Mehmet Idrizi, akuzohet se më 3 tetor 2013, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm, hyn në shtëpinë e të dëmtuarit Hajdar Thaqi, nga Gjakova, dhe duke shfrytëzuar mos prezencën e familjarëve në shtëpi, merr një televizor “Telefunken”, dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse televizorin ia shet një personi të panjohur, kështu të dëmtuarit Hajdar Thaqi, i shkakton dëm material në vlerë prej 250 euro.

Me këtë, ai akuzohej se  ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 327 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.