Dënohet me 200 euro gjobë për falsifikim të tiketës për kundërvajtje në trafik

19243804_1591111054234683_1319165129_o
Author

Raporton: Verona KADRIU

Qershor 15, 2017

Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj, të enjten, shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, Burim Aliu. I njëjti, për veprën penale në fjalë, u gjykua me 200 euro gjobë.

Aktgjykimi u shpall nga gjyqtari Ilir Bytyqi, pasi që i pandehuri pranoi fajësinë për veprën penale që e ngarkonte akti akuzues.

I pandehuri Aliu, ndërkaq pas deklarimit rreth fajësisë, shtoi se është penduar për veprimin që ka kryer, duke ndryshuar datën e tiketës-gjobës për shkelje të rregullave në trafik publik. Ai, po ashtu tha se kjo është hera e parë që kryen diçka të tillë, duke premtuar se më asnjëherë nuk do të përsëris këso veprimesh.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, e akuzonte të pandehurin Burim Aliu, se ka falsifikuar dokumentin origjinal, dhe atë tiketën – gjobën e trafikut, të shqiptuar në emër të axhës së tij Shukri Aliu.

Veprën, i njëjti akuzohej se e ka kryer ashtu që ka ndryshuar datën e tiketës nga 03.10.2016 , në 08.10.2016, e ku sipas aktakuzës, i pandehuri këtë e ka bërë me qëllim që t’i shmanget pagesës prej 50%  më shtrenjtë.