Dënohet me 1 vit burgim efektiv dhe 200 euro gjobë për vjedhje të rëndë

18870274_1576053569073765_2132690997_o
Author

Raporton: Verona KADRIU

Qershor 2, 2017

Ferizaj – I pandehuri Luftrim Vishi, pas pranimit të fajësisë, u shpall fajtor për veprën penale “vjedhje e rëndë në vazhdim”.

Vishi, u dënua me një vit burgim efektiv dhe 200 euro gjobë.

Aktgjykimi ndaj tij, u shpall nga gjyqtarja, Hysnije Gashi, të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Gjyqtarja Gashi, konstatoi se me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, ka pasur parasysh rrethanat lehtësuese si pranimin e fajësisë, moshën relativisht të re të të pandehurit, si dhe gjendjen jo të mirë ekonomike.

Sipas akuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i pandehuri Luftrim Vishi  më 5 maj 2017, në Ferizaj, së bashku me të miturit L.L dhe L.S, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë së tjetrit, me forcë kanë thyer dhe kanë hyrë në tri lokale.

Nga lokali i të dëmtuarit, Nexhmedin Suka, të njëjtit kishin marrë 50 euro, një “iPad” dhe një telefon “Nokia”. Kurse, nga dyqani tjetër, pronë e të dëmtuarit, Samir Mani, ata kishin marrë të holla në vlerë prej 100 eurosh.

Ndërkaq, përpos që kishin thyer dhe dëmtuar dritaren e lokalit “Elix”,  të të dëmtuarit, Lulzim Azemi, të njëjtit nuk kishin arritur të merrnin asgjë nga aty, pasi që ishin hetuar nga policia dhe janë nxënë në flagrancë në vendin e ngjarjes.