Dënohet me 1 vit burg efektiv dhe 300 euro gjobë ish-oficeri i Burgut të Dubravës

Gjykata Themelore Peje (2)
Author

Raporton: Drita SHALA

Qershor 16, 2017

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj  ish-oficerit korrektues Shaqir Jahaj, i akuzuar për vepër penale “marrje e ryshfetit”.

1 vit burg efektiv, 300 euro gjobë dhe ndalim të ushtrimit të veprimtarisë, ka qenë aktgjykimi që e ka shpallur trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Sami Sharraxhiu, ndërsa për veprën penale nga pika dy e dispozitivit të akuzës, trupi gjykues nuk ka arritur të vërtetoi se i akuzuari ka kryer veprën në fjalë.

I akuzuari nga gjykata e shkallës së parë ishte dënuar me 1 vit burg efektiv dhe 1000 euro gjobë, por rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apeli për shkak të mos procedimit të një prove që kishte të bënte me simulimin e veprës penale.

Sipas prokurorisë, Shaqir Jahaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi si oficer korrektues në Qendrën Korrektuese në Dubravë, më 3 qershor 2014, pas marrëveshjes me të burgosurin Rushit Thaçi, nga familjarët e tij, kishte marr 300 euro ryshfet. Gjithashtu, gjatë periudhës kohore 2002-2014, në vazhdimësi kishte pranuar përfitime materiale, duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare, në marrëveshje paraprake me të burgosurin Rushit Thaçi. Për çdo shumë të parave që i kishte sjellë në burg, ai kishte marrë si shpërblim 50 euro. Ndërsa, për çdo telefon celular që ia kishte sjellë të burgosurit Thaçi, kishte pranuar të holla prej 150 deri në  400 euro.