Dënohen të akuzuarit për fajde dhe detyrim, lirohet nga sekuestrimi pasuria milionëshe e tyre

Rasti Tunë Kqira, etj. - 12.02.2018 - 2
Author

Raporton: Lutfi MORINA

Shkurt 12, 2018

Prizren – Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, ka shpallur fajtorë të akuzuarit për organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, Tunë Kqira, Gjon Kqira, Ekrem Leci dhe Hill Kaqinari.

Gjithashtu, janë shpallur fajtorë edhe të akuzuarit Kastriot Kqira, Gjekson Kqira, Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj dhe Zyrafete Hukolli për veprën penale të fajdesë dhe detyrimit.

Kurse, të akuzuarit Ragip Fazlija dhe Sejdë Kaqorraj janë liruar nga akuzat me të cilat ngarkoheshin, si dhe të gjithë të akuzuarit janë liruar nga akuza e krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave.

Tunë Kqira është dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim, të cilin nuk do ta mbajë, sepse përkon me kohën të cilën ai ka kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Ndërsa, të akuzuarit Gjon Kqira, Benson Buza dhe Besfort Omaj janë dënuar me nga 2 vjet e 5 muaj burgim, brenda të cilit do të llogaritet edhe koha e kaluar nga ta në paraburgim dhe arrest shtëpiak, nga maji 2015, deri në tetor 2017.

Të akuzuarit Zyrafete Hukolli, Ekrem Leci dhe Hill Kaqinari, janë dënuar me nga 6 muaj burgim, por i njëjti dënim me kërkesë të mbrojtjes është zëvendësuar me dënim me gjobë prej 2500 euro.

Për veprën penale të fajdesë, janë dënuar Gjekson Kqira, me 8 muaj burgim dhe Gezim Kqira, me 5 muaj burgim, ku këtij të fundit, dënimi me burgim i është zëvendësuar me dënim me gjobë prej dy mijë euro.

Marjan Kqira dhe të akuzuarit tjerë për armëmbajtje pa leje, janë dënuar me nga 1500 euro gjobë.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, gjatë leximit të aktgjykimit, ka deklaruar se anulohen të gjitha urdhëresat për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme të lëshuara nga gjykata në këtë rast penal.

Osmani ka thënë se organi i akuzës nuk ka arritur të provojë se pasuria e sekuestruar është fituar me vepër penale, sepse aktakuza përfshin periudhën kohore nga viti 2012 e tutje, ndërsa nga shkresat e lëndës, sipas tij, rezulton se pasuria është fituar para vitit 2012.

Ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur në maj 2016, e cila i ngarkon ta akuzuarit me veprat penale të krimit të organizuar, fajdesë, detyrimit, shpëlarjes së parave, skemave piramidale dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës, këta persona duke vepruar në grup kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve, duke u dhënë atyre shuma të mëdha parash e duke kërkuar nga të njëjtit kthimin e borxhit me kamatë disproporcionale.

Aktakuza përshkruan se si Pal Gruda nga Prizreni është detyruar të paguajë kamatë ditore deri në 500 euro dhe mujore deri në 3 mijë euro. Grudës, një borxh prej 20 mijë euro i ishte shndërruar me anë të kamatës jo-proporcionale deri në afro 1 milion euro. I nxënë ngushtë nga presioni i këtij grupi për të paguar “borxhin” familja Gruda ka paraqitur rastin në polici.

Tunë Kqira, sipas aktakuzës, ka qenë në krye të grupit kriminal duke i udhëhequr punët e paligjshme të kryera nga ta.

Në këtë rast penal ishin sekuestruar disa prona të familjes Kqira, për të cilat, organi i akuzës, pretendon se janë fituar në mënyrë të kundërligjshme, e cila pasuri e sekuestruar vlerësohet të jetë disa miliona euro.

Disa prej të akuzuarve, për një periudhë kanë qëndruar në paraburgim, ndërsa momentalisht nuk kanë masa të sigurisë.