Dënohen me burgim dhe me gjobë tre të akuzuarit për narkotikë, njëri prej tyre alivanoset

sabina
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 13, 2018

Prishtinë – Njëri nga të akuzuarit për shpërndarje të narkotikëve, Fatmir Musliji, është alivanosur, kur ka kuptuar dënimin që i është shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ai të hënën është shpallur fajtor dhe është dënuar me 10 vjet burgim si dhe me 10 mijë euro gjobë, pasi është shpallur fajtor për shpërndarje të narkotikëve, ndërsa është liruar nga akuza për krim të organizuar.

Këtë e ka bërë të ditur gjykatësja e rastit, Suzana Çerkini, e cila e ka shpallur aktgjykimin në këtë rast.

Në këtë aktgjykim, sipas gjykatëses Çerkini, tashmë të dënuarit Fatmir Musliji, i është konfiskuar edhe pasuria e krijuar në mënyrë të jashtëligjshme, konkretisht një shtëpi prej 300 metra katrorë.

Kurse, Brahim Xhemajli është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim si dhe 4 mijë euro gjobë për veprën penale të shpërndarjes së narkotikëve.

I akuzuari i tretë, Zijadin Gashi është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim si dhe me 500 euro gjobë.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, në të cilin tre të akuzuarit kishin mohuar fajësinë për akuzat me të cilat ngarkoheshin.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me 5 prill 2016, tre të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë. Muslijin e kishte dënuar me 8 vite burgim dhe me gjobë në shumën prej 10.000 eurosh. Ndërsa, ndaj Xhemajlit, gjykata kishte shqiptuar 4 vite e 6 muaj dënim me burg si dhe me gjobë në shumën prej 4.000 eurosh. Kurse, të akuzuarin Gashi, e kishte dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim si dhe me gjobë prej 2.000 eurosh.

Mirëpo, pas ankesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ankesave të mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia kishte kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Sipas Apelit, i akuzuari Musliji ishte dënuar duke u bazuar vetëm në aktgjykimin e Gjykatës së Munchenit në Gjermani si dhe dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët kishin deklaruar se narkotikun e kishin marrë nga Musliji. Një nga arsyet e Apelit, ishte se pa u dëgjuar këta dëshmitarë, nuk mund të ketë prova në procedurën penale që zhvillohet në Kosovë.

Ndërkohë, sipas aktakuzës, tre të akuzuarit kishin vepruar si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar me qëllim të përfitimit të dobisë financiare, ku pa autorizim kanë shitur dhe transportuar substanca narkotike të llojit heroinë.

Sipas aktit të akuzës, i pandehuri Fatmir Musliji e kishte formuar dhe organizuar këtë grup kriminal të përbërë nga persona të ndryshëm në mes tyre edhe të pandehurit, Brahim Xhemajli dhe Zijadin Gashi.

Sipas prokurorisë, Musliji nga dhjetori 2008 e deri në shkurt 2009 ka organizuar transportimin dhe shtijën e mbi 40 kilogramë heroinë për në Gjermani nëpërmjet rrugëve tokësore të disa shteteve, ndërsa për pjesën me të vogël të heroinës e ka organizuar shitjen e paautorizuar në tregun kosovar.

Musliji, Xhemajli e Gashi, akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për krim të organizuar që ndërlidhet me veprën penale të blerjes, posedimit dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm.