Dënim me kusht për të akuzuarin për sulm ndaj personit zyrtar

pallati (1)
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Maj 31, 2017

Prishtinë – Një vit burgim me kusht ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë, ndaj Amrush Gashit, i akuzuar për sulm ndaj personit zyrtar.

Dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse për dy vite, ai nuk do të kryej vepër tjetër penale.

Të dëmtuarit, Hatixhe Potera dhe Besfort Musliu, janë udhëzuar në kontest civil, ndërsa 50 euro janë caktuar për paushallin gjyqësor.

Në seancën e kaluar, Amrush Gashi i cili nuk kishte angazhuar mbrojtës, kishte pranuar fajësinë dhe kishte kërkuar falje publike për veprimin e bërë.

Amrush Gashi, sipas aktakuzës, më 17 dhjetor 2013, në Prishtinë në oborrin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka sulmuar personin zyrtar, të dëmtuarin Besfort Musliun që në cilësinë e kameramanit të televizionit KTV, që kishte dalë për të kryer punën e tij zyrtare me qëllim të incizimit të një objekti dhe papritmas i ishte ofruar i pandehuri, Amrush Gashi, i cili të dëmtuarin e kishte goditur me shuplakë në fytyrë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari gjithashtu në të njëjtën kohë ka sulmuar edhe zyrtaren policore, Hatixhe Poterën, e cila ishte duke kryer detyrën zyrtare, sigurimin e objektit të ASHAK-ut dhe kishte ndërhyrë për të penguar sulmin ndaj kameramanit të KTV-së. Gashi, akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, sipas nenit 410 par 1 të Kodit Penal që parasheh dënimin prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.