Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për fajde

Jeton Kurti- 19.06.2017
Author

Raporton: Arbër GUTA

Qershor 19, 2017

Gjakovë – Jeton Kurti është deklaruar i pafajshëm, gjatë shqyrtimit fillestar të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku akuzohet për fajde si dhe për shmangie nga tatimi.

Në këtë shqyrtim të pranishëm ishin prokurori Ali Uka, i dëmtuari Vllaznim Podrimja dhe i akuzuari Jeton Kurti, me avokat mbrojtës, Meshari Selimaj.

Avokati Selimaj, i propozoi gjykatës që të kalohet menjëherë në shqyrtim kryesor pasi që tha se heqin dorë nga shqyrtimi i dytë dhe kërkoi që shqyrtimi i kryesor të mbahet gjatë muajit korrik, pasi që avokati kryesor i mbrojtjes, Ndrecë Dodaj, është i angazhuar në lëndë të tjera.

Gjyqtari Shaqir Zika, me aktvendim caktoi shqyrtimin kryesor, i cili do të mbahet më 18 dhe 19 korrik 2017, në ora 10:00.

Në shqyrtimin kryesor për të dëshmuar do të ftohen të dëmtuarit Latif Shala, Bashkim Lubonja, Mark Simoni dhe Ilir Bicurri.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Jeton Kurti dyshohet se që nga koha e pavërtetuar e gjerë më 25 tetor 2015, për vete ka pranuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të atyre personave. Me çka, sipas prokurorisë ka kryer veprën penale të fajdesë, nga neni 343, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Po ashtu, të akuzuarit i ngarkohet edhe vepra penale shmangia nga tatimi, pasi që pas kontrollit të Inspektoratit të Administratës Tatimore, dega në Gjakovë, është konstatuar se i njëjti ka bërë shmangie nga tatimi në firmën e tij N.P.Sh “Ylli” e cila merret me veprimtari të transportit rrugor të pasagjerëve.