Deklarohen të pafajshëm tre të akuzuarit për grabitje në vitin 2006

Nora KELMENDI- Rasti Man Hyseni etj- Raporti per Web- 12.02.2018
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Shkurt 12, 2018

Mitrovicë – Man Hyseni, Skender Hyseni dhe Bahri Hyseni, janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale “grabitje”, në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Njazi Rexha, tre të akuzuarit, u shprehën se nuk e ndiejnë veten fajtorë për veprën penale me të cilën i ngarkon Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Pasi që të akuzuarit, Man, Skener dhe Bahri Hyseni, u deklaruan të pafajshëm, gjyqtari i rastit Beqir Halili, i njoftoi të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Shqipe Mehmeti, Sheremet Ademi dhe Xhelal Hasani, se shqyrtimi i dytë në këtë rast nuk do të  mbahet.

Halili shtoi se të njëjtit kanë të drejtë që në afat prej 30 ditësh t’i paraqesin kundërshtimet e tyre mbi aktakuzën dhe se për këtë gjykata do të vendos jashtë seancës gjyqësore.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Man, Bahri dhe Skender Hyseni, akuzohen se më 26 mars 2006, rreth orës 16:00 në fshatin Rrafshmir në Komunën e Vushtrrisë, duke vepruar si grup, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me përdorimin e forcës dhe kanosjes, prej tjetrit kanë përfituar pasuri të luajtshme.

Bazuar në aktakuzë, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që më parë, të njëjtit, kanë kërkuar nga i dëmtuari Mexhit Bilalli, të shkojë në shtëpinë e tyre, dhe sipas aktakuzës, pasi që i dëmtuari i shoqëruar me motrën e tij, shkon në shtëpinë e tyre me veturën e markës “Wolsfagen Jetta”, hyn në oborrin e shtëpisë së të pandehurve, përderisa motra e tij pret jashtë oborrit në veturë.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se në brendinë e shtëpisë ku është zhvilluar biseda, të pandehurit kanë kërkuar nga i dëmtuari Bilalli në këtë rast, që atyre tu paguajë një borxh që sipas tyre, ua ka pasur vëllai i të dëmtuarit, dhe nga ai kërkojnë që atyre tua dorëzoj çelësat e veturës.

Gjithmonë sipas aktakuzës, pasi që i dëmtuari me këmbëngulësi, e ka mohuar kërkesën e të pandehurve, të pandehurit Hyseni, me kërcënim e urdhërojnë të dëmtuarin dhe motrën e tij që të largohen dhe si rezultat, i dëmtuari Mexhit Bilalli dhe motra e tij, nga frika e lënë veturën në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit këtë veturë e marrin dhe e fusin në oborrin e shtëpisë së tyre.

Më këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “grabitje” nga neni 255 parag 3 e lidhur me parag 1 të KPK-së.