Deklarohen të pafajshëm dy zyrtarët policorë të akuzuar për keqtrajtim të palës dhe lëndim të lehtë trupor

13718095_1246405388705253_2067664238_o
Author

Raporton: Verona KADRIU

Qershor 14, 2017

Ferizaj – Dy zyrtarët policorë, tani të akuzuarit, Shukri Ajeti dhe Faton Sadriu, u deklaruan të pafajshëm, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Të njëjtit, po akuzohen për veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës apo autorizimeve zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor”.

Ajeti dhe Sadriu, pas leximit të akuzës thanë se ndihen tërësisht të pafajshëm për veprat penale që u ngarkon akti akuzues, duke mohuar kështu kryerjen e këtyre veprave penale.

Gjyqtarja e çështjes, Hysnije Gashi njoftoi dy të pandehurit se brenda afatit prej 30 ditëve kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet dhe propozimet e tyre lidhur me çështjen.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të pandehurit Shukri Ajeti dhe Faton Sadriu, në cilësinë e personave zyrtarë – policë në Stacionin Policor në Ferizaj, kanë keqpërdorur detyrën e tyre duke i keqtrajtuar të dëmtuarit Ridvan dhe Besart Zejna.

Veprën penale, të njëjtit pretendohet se e kanë kryer në atë mënyrë që pasi kishin asistuar punëtorët e KEDS-it, për të bërë shkyqjen e energjisë në shtëpinë e të dëmtuarit Ridvan Zejna, ku ky i fundit kishte filluar fjalosje me punëtorët, të pandehurit kishin ndërhyrë për ta larguar të dëmtuarin ku e kanë goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

Pika 2 e aktit akuzues, ngarkon të pandehurit me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, sepse në kohën dhe vendin e njejtë, në cilësinë e personave zyrtarë, u kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarve Ridvan dhe Besart Zejna, dhe atë lëndime në kokë dhe trup me pasoja të përkohshme për shëndetin.