Caktohet ekspertizë financiare në rastin e padisë ndaj PTK-së për kompensimin e diferencës në pagë

Uranik Begu
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 12, 2018

Prishtinë – Në seancën përgatitore të së hënës, në rastin ku paditësi Uranik Begu, kërkon kompensimin e diferencës së pagës nga PTK, është caktuar që të bëhet ekspertizë financiare.

Gjykatësi Enver Shabanaj, ka aprovuar propozimin e paditësit Begu, që për seancën e radhës të caktohet ekspertizë financiare, me qëllim që të përcaktohet diferenca në paga nga 1 shkurti 2012 e deri më 11 dhjetor 2012.

Ndryshe, paditësi Uranik Begu, tha se në tetor të vitit 2011, kishte lidhur kontratë me Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK), në pozitën e koordinatorit, mirëpo sipas tij, me vendim të njëanshëm të PTK-së, në vitin 2013, i ishte ulur paga prej gradës 14 në 12.

I njëjti tha se brenda afatit, kishte parashtruar ankesë, por pasi nuk kishte marrë përgjigje, kishte kaluar në padi, me anë të së cilës kërkon diferencën në pagë nga 1 shkurti 2012 deri më 11 dhjetor 2012.

Ndërsa, përfaqësuesja e PTK-së, Raze Gjocaj, tha se mbetet pranë përgjigjes në padi, ndërsa e kundërshtoi si të pabazuar padinë dhe kërkesëpaditë e paditësit Begu, për shkak se sipas saj, mungon baza ligjore.

Sipas saj, aktvendimi i PTK-së për zbritjen e gradës së pagesës personale të paditësit ishte vendim ligjor dhe në harmoni të plotë me kompetencat dhe autorizimet e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së. E njëjta e kundërshtoi nxjerrjen e ekspertizës financiare dhe i propozoi gjykatës, që të refuzojë padinë e paditësit si të pabazuar.

Ish-koordinatori i PTK-së Uranik Begu, i cili sot ushtron pozitën e drejtorit ekzekutiv të Qendrës së Inovacionit në Kosovë, në maj të vitit 2012, kishte ushtruar padi kundër Postës dhe Telekomit të Kosovës(PTK), për kompensimin e diferencës së pagës.

Beku me të paditurën PTK, kishte lidhur kontratë të punës në tetor të vitit 2011, ku me anë të kësaj kontrate, sipas padisë, ishte paraparë që Begu për punën e kryer të kompensohet me pagë të përcaktuar për gradën 14.

Mirëpo, me aktvendimin e burimeve njerëzore, të 7 marsit 2012, mbi caktimin e lartësisë së të ardhurave personale, paditësit Begu i ishte caktuar grada 12.

Në padinë e ushtruar, thuhet se paditësi ishte dëmtuar në mënyrë të kundërligjshme në pagë në shumën 376.84 euro për çdo muaj duke filluar nga paga e muajit shkurt 2012 si dhe në muajt në vazhdim, si dhe për shkak të zvogëlimit të kontributeve në trust, në lartësinë 44.5 euro në çdo muaj.

Me anë të kësaj padie, Begu kërkon që PTK, t’ia paguajë në emër të ndryshimit të pagesës në mes gradës 14 dhe 12, shumën 376.84 euro për çdo muaj, duke filluar nga paga e muajit shkurt 2012, e deri në muajt në vazhdim.