Burgim me kusht për të akuzuarën për vjedhje

620x275
Author

Raporton: Drita SHALA

Qershor 6, 2017

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur fajtore të akuzuarën për vjedhje, Sanije Gjukaj.

Tre muaj burgim me kusht, ka qenë dënimi që ka shqiptuar ndaj saj, gjykatësja Florije Zatriqi.

Dënimi me burgim me kusht nuk do të ekzekutohet, nëse brenda një viti e akuzuara nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Paraprakisht, e akuzuara në seancën fillestare, e ka pranuar fajësinë për këtë vepër.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Gjukaj më 6 gusht 2016,  në dyqanin “Viva Fresh Store” në Pejë, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, ka përvetësuar pasurinë e luajtshme, një telefon, pronë e dyqanit të lartëpërmëndur, ku edhe identifikohet nga kamerat.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara me këtë veprim ka kryer vepër penale të “vjedhjes”, nga neni 325 paragrafi 1 i Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.