“Betimi për Drejtësi” sonte prej orës 22:00 – Skandalet në IPK nën llupën e Kuvendit

FOTO EMISIONI FULL
Author
Shkurt 14, 2018

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” për skandalet e menaxhmentit të IPK-së në ndikime të drejtpërdrejta në konkurse dhe procese hetimore si dhe amnistinë e zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Ligjshmëria në funksionimin e IPK-së tash e një kohë mbetet sfidë dhe kjo ka shtruar nevojën për skanimin e gjendjes në këtë institucion. “Betimi për Drejtësi” në dy javët e kaluara kemi shfaqur dy hulumtime që dëshmonin ushtrimin e ndikimit nga Kryeshefi i suspenduar Hilmi Mehmeti në një konkurs për pranimin e inspektorëve së bashku me Miradie Kelmendin, e cila tani është ushtruese e detyrës së Kryeshefes. Ndikimet janë shtrirë edhe në rastet e tjera të punës së inspektorëve të IPK-së, të cilët janë penguar në ushtrimin e kompetencave për të zhvilluar hetime të pavarura në raste të caktuara. Sonte do të shfaqet edhe një rast i ndikimit, presionit dhe kanosjes së zyrtarëve të IPK-së nga menaxhmenti i këtij institucioni. Për raste të tilla, vazhdimisht është sfiduar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, i cili ka pranuar letra nga zyrtarët e IPK-së për ndërhyrje në hetime, presione dhe kanosje nga menaxhmenti i IPK-së. Sonte shfaqet një presion dhe kanosje, të cilën udhëheqësi i  hetimeve në IPK, Burim Raçi, pretendon se e ka përjetuar nga ushtruesja e detyrës së Kryeshefes, Miradie Kelmendi. Për skandalet në polici, korrupsionin dhe shumëçka tjetër, para një viti kishte ngritur shqetësime ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, i cili flet sonte për zhvillimet e fundit në IPK dhe PK. Në këtë emision, poashtu do të flasin deputetët e Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, për problemet në IPK dhe PK dhe zgjidhjen e tyre.

Gjatë emisionit do të transmetohet edhe rubrika monitorimit të rasteve të korrupsionit në të gjitha Gjykatat e Republikës së Kosovës.