Azem Syla në spital, shtyhet seanca ndaj tij dhe të tjerëve, gjykata kufizon mediat në rastin “Toka”

azem syla
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Shkurt 13, 2018

Prishtinë – Për shkak të problemeve shëndetësore të ish-deputetit Azem Syla, është shtyrë seanca e së martës në gjykimin e rastit “Toka”, në cilin ai dhe të tjerët, akuzohen për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar.

Kjo seancë, ishte paraparë të fillojë nga ora 10:00, mirëpo ajo ishte shtyrë për 45 minuta, pasi në mëngjes Syla ishte dërguar në spital.

Por, as pas kësaj, seanca e së martës nuk është mbajtur, pasi sipas kryetarit të trupit gjykues, Pekto Petkov, gjykata ka pranuar dokumentacionin në të cilin konstatohen problemet shëndetësore të Azem Sylës.

“Kjo seancë do të shtyhet. Kemi pranuar dhe përkthyer dokumentacionin mjekësor të Azem Sylës. Më vonë do të marrim hapa të mëtejshëm sa i përket gjendjes shëndetësore të Azem Sylës, për të parë nëse gjendja e tij shëndetësore është e përshtatshme me kushtet e paraburgimit apo do të ketë mundësi të kontrollohet nga ndonjë mjek kujdestar”, ka deklaruar gjykatësi i EULEX-it,  Petkov.

Ai ka shtuar se më vonë do të informohen palët në procedurë, nëse do të mbahen seancat e parapara për nesër dhe pasnesër.

Ndryshe, të martën, gjykata ka marrë vendim me të cilin kufizohet prania e mediave në këtë gjykim, pasi që fotografimet, xhirimet, ose incizimet, sipas këtij vendimi, lejohen të bëhen vetëm në 15 minutat e parë të seancave.

Në arsyetimin e këtij vendimi, gjykata ka thënë se vendimi për kufizim të incizimit, xhirimit e fotografimit është marrë ngase palët kanë të drejtën e respektimit të jetës së tyre private.

“Ndalimi i regjistrimit dhe transmetimit të drejtpërdrejtë pas 15 minutave të parë nuk e kufizon transparencën, meqë seancat gjyqësore mbeten publike”, thuhet në këtë vendim.

Ndërkohë, një ditë më parë, ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, i ishte vazhduar paraburgimi deri më 12 mars të këtij viti.

Këtë e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi, mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha.

Përveç Azem Sylës, paraburgimi i ishte vazhduar edhe dy të akuzuarve tjerë, Ilaz Syla dhe Ljubisa Vujoviq.

Azem Sylës, edhe më 5 dhjetor 2017, i ishte vazhduar kjo masë edhe për dy muaj, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi i EULEX-it, Arkadius Sedek, me arsyetimin se ekziston rreziku që tre të pandehurit të pengojnë procedurën që është duke u zhvilluar ndaj tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Ndryshe, më 12,13 dhe 15 dhjetor 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në këtë rast, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedek, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë.

Mbrojtja kishte vazhduar të kërkoi rrëzimin e aktakuzës së prokurorisë, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit, pas vendimit të gjykatësit Sedek për konfirmimin e aktakuzës, të cilin e ka konsideruar atë si vendim të padrejtë.

Gjykata e Apelit, më 26 tetor 2017, ka nxjerrë aktvendim me të cilin kishte konfirmuar vendimin e shkallës së parë dhe në këtë mënyrë ka lënë në fuqi aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 24 tetor të vitit 2016.