Arrihet pajtim gjyqësor për kompensimin e dëmit nga aksidenti në trafik

Gjykata Themelore Peje
Author

Raporton: Drita SHALA

Shkurt 13, 2018

Pejë – Pala paditëse, Vlora Halitaj si dhe e paditura, kompania e sigurimeve “Sigma”, të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, kanë arritur pajtim gjyqësor për kompensimin e dëmit për aksidentin e shkaktuar më 10 prill të vitit 2016.

Një pajtim i tillë, është arritur, para gjykatësit Fatmir Baloku, nga përfaqësuesi i autorizuar i të paditurës, kompanisë së sigurimeve “Sigma”, Dardan Morina dhe përfaqësuesi i paditurës Vlora Halitaj, avokati Bajram Mujaj.

Kompania e sigurimeve, “Sigma”, detyrohet që paditëses Halitaj, t’ia paguaj shumën prej 600 euro, si kompensim të dëmit material.

Po ashtu, “Sigma”, detyrohet që t’i paguaj edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe atë të përpilimit të padisë, në shumë prej 104 euro, një seancë të mbajtur në shumë prej 135 euro, si dhe taksën gjyqësore prej 20 euro.

“Sigma”, detyrohet që këto shuma t’i paguaj në afat prej 15 ditësh, nga data e lidhjes së pajtimit gjyqësor.

Sipas padisë së ushtruar më 10 prill 2016, rreth orën 13:35, në rrugën ”Konferenca e Bujanit”, në Pejë, kishte ndodhur aksident trafiku, me ç’rast fajtor, siç thuhet në padi, ishte Granit Alaj.

Si pasojë e këtij aksidenti, ishte shkaktuar dëm i konsiderueshëm material në automjetin e paditëses, Vlora Halitaj.

Sipas padisë, automjeti të cilin e drejtonte Granit Alaj, shkaktar i aksidentit, kishte qenë i siguruar në kompaninë e sigurimeve “Sigma”, në Prishtinë.