Apeli refuzon ankesën e të dënuarit për grabitje, vërteton dënimin e shkallës së parë

Apeli_2
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Shkurt 12, 2018

Prishtinë – Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e bërë nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit për grabitje, Liridon Isufi, duke vërtetuar kështu dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 14 shtator 2017, të akuzuarin Liridon Isufin, e kishte  shpallur fajtor për veprën penale “grabitje” dhe për këtë vepër e kishte gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti e gjashtë muaj, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 400 euro.

Në këtë dënim, të akuzuarit i është llogaritur edhe koha kaluar në arrest shtëpiak nga 14 tetor 2013, e deri më 13 nëntor 2013.

Kundër këtij aktgjykimi, ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Isufi, avokati Hasan Shala.

Në seancën e Gjykatës së Apelit, të mbajtur më 1 dhjetor të vitit të kaluar, avokati Shala kishte kërkuar që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim më i butë.

Siç kishte thënë avokati Shala, i akuzuari Isufi është bërë person agresiv pas një aksidenti të rëndë në trafik që kishte pësuar, si pasojë e të cilit kishte qenë edhe në gjendje kome.

Në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, avokati kishte thënë se i akuzuari nuk e dëgjon askënd, madje as familjarët e tij, andaj duke patur parasysh këtë gjendje shëndetësore të tij, i njëjti kishte kërkuar nga Apeli zbutjen e dënimit për të mbrojturin e tij.

Në ankesën e mbrojtësit të akuzuarit, theksohej gjithashtu se gjykata e shkallës së parë, i ka konstatuar shumicën e rrethanave lehtësuese, mirëpo, të njëjtat nuk i ka vlerësuar realisht e as në masë të duhur, por faktikisht vetëm i ka numëruar në mënyrë deklarative dhe atë sidomos kur është fjala për rrethana posaçërisht lehtësuese të pranimit të fajësisë, e që ngjashëm ka vepruar edhe me rrethanat tjera lehtësuese.

Në anën tjetër, Prokuroria  e Apelit në propozimin me shkrim që i kishte dërguar Gjykatës së Apelit, të njëjtës i kishte propozuar që ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit ta refuzon si të pabazuar, ndërsa aktgjykimin e shkallës së parë, ta vërteton.

Gjykata e Apeli pasi që ka shqyrtuar të gjitha pretendimet e palëve, ka ardhur në përfundim se ankesa e mbrojtësit është e pabazuar.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë, drejtë dhe në mënyrë të plotë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.

“Pretendimet e mbrojtësit të akuzuarit, nuk janë të bazuara, nga se me ankesë nuk cekët asnjë rrethanë konkrete lehtësuese që do të ndikonte drejtpërdrejt në zbutjen e mëtutjeshme të dënimit, por vetëm në mënyrë të përgjithësuar konstatohet se dënimi është i ashpër, ndërsa, disa nga rrethanat lehtësuese që ceken nga ana e mbrojtësit të akuzuarit, janë pothuajse të gjitha rrethanat lehtësuese të cilat gjykata e shkallës së parë i ka pasur parasysh”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat e konstatuara në aktgjykimin e ankimuar, rrethanat e rastit konkret, mënyrën se si është kryer vepra penale, por edhe faktin se i akuzuari ka qenë i dënuar edhe më parë për grabitje, Apeli ka ardhur në përfundim se  dënimi të cilin i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, të akuzuarit është i drejtë dhe i ligjshëm dhe është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale.