Anulohen seancat e rastit “Medicus”, sërish nuk sigurohet kontakti me dëshmitarin nga Amerika

Medicus (3)
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 13, 2018

Prishtinë – Për të dytën herë, janë anuluar seancat në rastin “Medicus”, pasi gjykata edhe një herë ka dështuar të sigurojë kontaktin më dëshmitarin nga Amerika, Josef Koronashvilli.

Për këtë arsye është anuluar edhe seanca e paraparë të mbahej të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në rastin e kthyer në rigjykim, mjeku Lutfi Dërvishi akuzohet për krim të organizuar e trafikim me qenie njerëzore, ndërsa anesteziologu Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Edhe seancat e parapara për 14 dhe 15 shkurt 2018, janë anuluar për të njëjtën arsye.

Anulimin e këtyre seancave e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të akuzuarit Sokol Hajdini, avokati Ramë Gashi.

Dëshmitari Koronashvilli, ishte paraparë që të jepte dëshminë e tij, duke u lidhur përmes videolinkut nga Amerika, por një kontakt i tillë, nuk është arritur të sigurohet nga kjo gjykatë.

Ndryshe, për të njëjtën arsye ishte shtyrë edhe seanca e paraparë të mbahej më 1 shkurt të këtij viti.

Gjykimi maratonik i rastit “Medicus”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010, dhe janë konfirmuar me 27 prill 2011.

Shqyrtimi kryesor për këtë rast filloi më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe 17 prill 2013, u bë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.

Pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 shpalli verdiktin final për këtë rast. Sipas aktgjykimit Lutfi Dervishi u dënua me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “trafikimit me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të njëjtit i’u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë. Ndërkaq i njëjti u lirua nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.

Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini u lirua nga akuza për “krim të organizuar”, por u dënua për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti. Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, u refuzuan.

Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla u shpallën fajtorë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe u dënuan me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre u refuzua akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.

Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj u shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” u refuzua. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.

Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore urdhëroi mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.

Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 6 nëntor 2015 ka shpallur aktgjykim, sipas të cilit vërtetohen dënimet e të pandehurve dhe lirohet objekti i klinikës “Medicus” me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre ka rritje të dënimit deri në dy vjet.

Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, dënohet me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”.

Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, u shpallën të pafajshëm nga shkalla e dytë.

Ky aktgjykim u ishte dërguar të gjitha palëve ndërmjet 25 shkurtit dhe 4 marsit 2015.

Më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kërkoi nga Gjykata Supreme të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti.

Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kanë parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme ka hedhur ankesën e Lutfi Dervishit si të palejuar.

Ndërkaq, me 20 shtator, kjo gjykatë mori aktgjykim lidhur me ankesat e parashtruara nga Sokol Hajdini dhe avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit Hajdini lirohet nga akuza e “krimit të organizuar”. Ndërkaq, iu vërtetua dënimi sa i përket veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, dhe kohëzgjatja e burgimit u ndryshua në tre vjet.

Kundër këtij aktgjykimi, më 2 nëntor 2016 dhe 30 nëntor 2016, Sokol Hajdini dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë paraqitur kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Sa i përket këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë gjithashtu kishte lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arban Dervishin, pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit, pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.

Ndryshe, emri i kësaj klinike kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.