Aktgjykim lirues ndaj zyrtarit të KEDS-it të akuzuar për marrje të ryshfetit

20180214_102918
Author

Raporton: Gzim SHALA

Shkurt 14, 2018

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, të mërkurën, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për marrje të ryshfetit, Fidan Jashari.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi, sipas së cilit, nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale e cila i vihej në barrë.

Në këtë rast, kanë qenë të akuzuar edhe Hysni Qahili dhe Burim Berisha, por procedura ndaj tyre ishte veçuar më parë dhe ndaj tyre rasti kishte përfunduar.

Hysni Qahili ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjilan me 7 muaj burgim efektiv dhe 400 euro gjobë, ndërsa Burim Berisha ishte liruar nga akuza.

Aktgjykimet ndaj Qahilit dhe Berishës, janë vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Hysni Qahili, Fidan Jashari dhe Burim Berisha akuzoheshin se më 31 janar 2015, në cilësinë e zyrtarëve të “KEDS” në Viti, kishin kërkuar 200 euro ryshfet nga pronari i lokalit “Kastri”, Kastriot Ahmeti, me pretekstin se i njëjti po e vidhte rrymën dhe për të mos e dënuar.

Ndryshe, gjatë seancës të së mërkurës, është dhënë edhe fjala përfundimtare në këtë rast, ndaj të akuzuarit Fidan Jashari.

Prokurori Isuf Sadiku në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se nga administrimi i provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ai ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpall fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Jashari, avokati Milot Spahiu, ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza me të cilën ngarkohet.

“Në të gjitha rrethanat është dëshmuar se i mbrojturi im nuk e ka kryer këtë vepër penale, madje i njëjti as nuk ka qenë i informuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Dëshmia e dëshmitarit Burim Berisha dhe e të dëmtuarit Kastriot Ahmeti në mënyrë të qartë tregojnë se i mbrojturi im nuk ka qenë i përfshirë në këtë rast. Deklarata e tanimë të dënuarit Hysni Qahili nuk është e bazuar në prova. Me këtë rast dëshmitari Qahili vetëm se ka dashur që ta shpërndajë përgjegjësinë e tij penale. Në anën tjetër, në bazë të nenit 262.1 të Kodit të Procedurës Penale, një person nuk mund të shpallet fajtor duke u mbështetur në dëshminë e vetëm një dëshmitari. Bazuar në këto që thash, kërkoj nga Gjykata që të mbrojturin tim ta lirojë nga akuza”, ka deklaruar avokati Spahiu.

Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Fidan Jashari ka deklaruar se lidhur me këtë vepër penale as nuk ka qenë i informuar, e aq më pak i përfshirë.

“Në ditën kritike, unë së bashku me Hysni Qahilin dhe Burim Berishën kemi dalë në teren. Kur kemi shkuar tek piceria “Kastra”, unë kam shkuar në kuzhinë të picerisë që ta kontrolloj njehsorin. Kur kam dal nga aty, kam parë Hysniun duke biseduar me një person. Më pas Hysniu na ka thënë se vëllai i pronarit të picerisë premtoi se brenda ditës do ta paguaj borxhin ndaj KEDS-it. Më pas kemi vazhduar në lokale tjera. Gjatë orarit të punës, jemi kthyer përsëri në vendin e njëjtë dhe Hysniu ka dal nga vetura dhe ka hyrë në piceri, duke na thënë neve se po hy vetëm ta konfirmoj se a e ka paguar pronari borxhin. Ka hyrë në piceri dhe është kthyer pas rreth 5 minutave. Në momentin kur jemi nisur me makinë, pas 30-50 metra na ka ndalë Policia. I kan thënë Hysniut që të dal jashtë dhe të nxjerrë gjithçka çfarë ka në xhepa. Hysniu ka nxjerrë disa para dhe një telefon. Pas asaj, Hysniun e kanë arrestuar, ndërsa unë i shoqëruar me një polic kam vazhduar ta drejtoj automjetin e KEDS-it deri në Polici”, ka deklaruar i akuzuari Jashari, gjatë mbrojtjes së tij.

Gjatë seancës së të mërkurës, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar tanimë i dënuari për këtë rast, Hysni Qahili.

Në dëshminë e tij, Qahili ka deklaruar se plani për marrjen e ryshfetit ishte bërë në bashkëpunim me Fidan Jasharin dhe Burim Berishën.

“Kur kemi shkuar në picerinë “Kastri” kemi parë se pronari ka borxh ndaj KEDS-it dhe se i njëjti është duke vjedhur energjinë elektrike. Për këtë çështje e kemi njoftuar vëllain e pronarit. Pasi kemi dalë nga piceria, na ka ardhur mbrapa pronari. I njëjti na ka ofruar 200 euro që këtë rast mos ta raportojmë. Të tre së bashku kemi pranuar këtë ofertë. Në mbrëmje, unë së bashku me Fidanin dhe Burimin kemi shkuar tek piceria e pronarit dhe unë kam hyrë dhe i kam marrë paratë. Më pastaj kam dalë nga piceria dhe jam futur në makinë. Në momentin që jemi nisur, Policia na ka ndalë dhe na ka arrestuar”, ka deklaruar Qahili.

Ndryshe, sipas aktakuzës, të akuzuarit Hysni Qahili, Fidan Jashari dhe Burim Berisha akuzohen se me 31 janar 2015, rreth orës 14.00, në cilësinë e zyrtarëve të  Kompanisë Energjetike “KEDS” në Viti, kishin shkuar në lokalin “Kastri”, me pronar Kastriot Ahmeti, me pretekst se i njëjti po e vidhte rrymën. Zyrtarët e “KEDS” kishin kërkuar nga pronari i lokalit 200 euro ryshfet për të mos e dënuar dhe të njëjtit ishin marrë vesh që më vonë të shkojnë t’i marrin të hollat.

Sipas aktakuzës, pas vëzhgimit të fshehtë të bërë nga zyrtarët policorë, i akuzuari Hysni Qahili është kapur në flagrancë duke marrë 200 euro ryshfet, me ç’rast ishte arrestuar nga njësiti policor Kundër Krimeve Ekonomike, së bashku me dy të akuzuarit e tjerë, Fidan Jashari dhe Burim Berisha.