2 muaj burgim me kusht për lidhje ilegale në njehsorin elektrik

Gazmend Sylejmani - 31.05.2017
Author

Raporton: Suzana MANAJ

Maj 31, 2017

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj  Gazmend Sylejmanit, i akuzuar për heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose shenjave, si dhe lidhje të paautorizuar në shërbime.

Gjykatësja Naime Jashanica-Krasniqi, të akuzuarin Sylejmani, e dënoi me 2 muaj burgim me kusht, nëse brenda vitit nuk kryen vepër tjetër penale, ndërsa lirohet nga shpenzimet procedurale të gjykatës.

Në këtë proces gjyqësor i akuzuari, Gazmend Sylejami, nuk kishte të angazhuar avokat mbrojtës.

Prokuroria, të akuzuarin  e ngarkonte me veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, sipas nenit 414, dhe nenit 321,  të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, të cilat  vepra dënohen me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.

Sipas Prokurorisë, Gazmend Sylejamni, akuzohet se me 18 nëntor 2013, në shtëpinë e tij, me qëllim të përfitimit nga shërbimi komunal ka këputur bllombën distrubutive, të cilën e kanë vendosur personat e autorizuar të KEDS-it, me ç‘rast ka bërë rikyçje ilegale, me qëllim të furnizimit me rrymë përmes rrjetit përçues të energjisë elektrike dhe të mos regjistrohet energjia e shpenzuar. Me këtë veprim, i është shkaktuar dëm KEDS-it, i cili është i kalkuluar nga shërbimi i faturimit në përputhje më ligjin për energji elektrike.